Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, shpërtheu me kritika ndaj qasjes së Kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar procesin e bisedimeve si një lojë të pasinqertë, përcjell Gazeta Metro.
Haziri sqaroi se LDK-ja i ishte përgjigjur ftesës për të zgjidhur ngërçin e Presidentit, por në tavolinë gjetën diçka krejt tjetër, një ofertë për ndarje postesh në qeveri, gjë që sipas tij është tërësisht jashtë kohës.
Sipas numrit dy të LDK-së, kjo tentativë e Kurtit për të “blerë” votën e tyre me ministri, pasi institucionet tashmë janë formuar, i ka lënë ata me shijen e hidhur të një mashtrimi politik. Haziri bëri të ditur se pas kësaj joserioziteti, partia e tij nuk do të ketë më asnjë takim me kreun e ekzekutivit për këtë temë.
“Ky hap ka qenë zgjedhja e presidentit, jemi ftu me folë për president, se qeveria është zgjedhë, kuvendi është konstitu, buxheti është miratu, ligjet ndërkombëtare janë ratifiku me ndihmën e LDK-së dhe partive tjera..Tani mi mbajtë disa takime dhe me përfundu me ofertë për qeverisje është joserioze…Mu ndjeh që jemi mashtu”, tha Haziri në Pressing./gazetametro.net