Partia Vatra e cila përfaqëson qytetarët e Luginës së Preshevës nga e mërkura aktivitetin e saj do ta ushtrojë në kuadër të NISMA për Kosovën. Me bashkimin e saj, NISMA për Kosovën do të përfaqësohet në Kuvendin Komunal të Gjilanit me katër këshilltarë. Me rastin e këtij aderimi është vlerësuar se përderisa partitë e tjera po shemben, NISMA po rritet çdo ditë e më shumë.
Këtë e kanë bërë të ditur në një konferencë për medie kryetari i NISMA për Kosovën në Gjilan njëherësh edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe kryetari i VATRA, Kushtrim Kadriu.
Hasani me këtë rast ka theksuar se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për NISMA-në.
Ai ka treguar se kjo parti tashmë në Kuvendin Komunal të Gjilani do të përfaqësohet me katër këshilltarë. Hasani ka premtuar mbështetje më të madhe për qytetarët e Luginës së Preshevës.
“Sot është një ditë e rëndësishme për NISMA-në, sepse nga sot partia Vatra e ka gjetur veten dhe aktivitetin e saj politik do ta ushtrojë nën ombrellën e NISMËS. Kjo për neve është shumë e rëndësishme dhe mendojmë që ne si parti kemi dhënë sinjale të forta në drejtim të mbështetjes së qytetarëve këndej dhe andej kufirit. Nga sot kemi përgjegjësi shtesë që të jemi zë edhe më i fuqishëm në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Luginës”, ka thënë Hasani.
Ndërsa, kryetari i VATRA-së, Kushtrim Kadriu ka thënë se e kanë gjetur veten tek programi i NISMA për Kosovën. Ai ka thënë që NISMA që nga themelimi i saj ka qëndruar afër qytetarëve të Kosovës Lindore.
“Ne kemi vendosur që nga sot do të jemi një trupë e përbashkët e cila do të punojnë në ngritjen dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të Kosovës Lindore, forcimin e kauzës të shqiptarëve të Kosovës Lindore, të atyre që jetojnë në Kosovë, zgjidhjen e problemeve si dhe ofrimin e asistencës”, ka thënë ai.