Loading…

Shkarkimi i Blerim Isufajt nxit reagime të shumta, VV’ja kritikohet për ‘kapje të prokurorisë’

  • 03/10/2026 | 08:30

Shkarkimi i Blerim Isufajt nxit reagime të shumta, VV’ja kritikohet për ‘kapje të prokurorisë’

Të premten, në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, u shkarkua kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ndërsa u kthye në pozitën e prokurorit në të njëjtën prokurori, shkruan Gazeta Metro.


Në arsyetimin e KPK-së për shkarkimin e Isufajt, ndër të tjera u tha se Prokuroria Speciale kishte efikasitetin më të dobët ndër prokuroritë në vend.

Megjithatë, në kohën sa Isufaj ishte kryeprokuror, u ngritën shumë aktakuza e që disa prej tyre mund të jenë edhe arsye e shkarkimit të tij.

E disa nga aktakuzat për zyrtarët e VV-së u tha se mund të jenë arsye që qeveria nuk e deshti Blerim Isufajn.

Gjatë kohës së Isufajt, PS ngriti aktakuzë ndaj ministres së Albin Kurtit, Rozeta Hajdarit, pasi ajo me kolegë i shkaktoi dëm shtetit të Kosovës mbi tre milionë euro. Ai ngriti aktakuzë edhe për Nagip Krasniqin, që në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut dyshohet se i shkaktoi dëm vendit hiç më pak se 37 milionë euro.

Aktakuzë ishte ngritur edhe ndaj kryeshefit të “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, pasi i shkaktoi dëme buxhetit afërsisht 200 mijë euro, e edhe ndaj Dejona Mihajlit, koordinatores për komitete në VV, si e dyshuar për përfshirje në këto afera.

Aktakuzë nga PS u ngrit edhe të mërkurën për dëmin mbi 15 milionë euro që ia ka shkaktuar shtetit zyrtari i Ministrisë së Liburn Aliut.

E krejt këto mund të jenë arsye që Kurti asnjëherë nuk e deshti Isufajn në këtë pozitë, madje edhe publikisht e kishte thënë këtë.

“Pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të Presidentes së Republikës, të Kryeparlamentarit të Kosovës dhe të Kryeministrit të Qeverisë”, kishte deklaruar Albin Kurti për kandidaturën e Blerim Isufajt për Kryeprokuror.

Shkarkimin e tij e kanë kundërshtuar edhe analistë politikë, akterë opozitarë, si dhe organizata të shoqërisë civile.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kundërshtuar mënyrën e vendimmarrjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i cili në një takim të jashtëzakonshëm të mbajtur të premten vendosi për largimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK). Sipas IKD-së, vendimmarrja e KPK-së ishte e ngutshme dhe jotransparente. Instituti ka vlerësuar se emërimi dhe largimi i kryeprokurorëve duhet të zhvillohet mbi parime dhe standarde që sigurojnë se vendimi është i drejtë, i pavarur dhe i paanshëm.

Ndërkaq, Ilir Mirena ka vlerësuar se intervistimi i 16 zyrtarëve të Kurtit nga Prokuroria Speciale si të dyshuar ka bërë që Isufaj të shkarkohet.

“16 zyrtarë të lartë të regjimit të Kurtit janë ftuar dhe intervistuar si të dyshuar për krim, korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit nga Prokuroria Speciale. Mes tyre, edhe Albin Kurti për rastin e rezervave shtetërore, por që ka refuzuar intervistimin. Natyrisht që e shkarkojnë Blerim Isufajn. E shkarkojnë se për gjithë këto hetime tashmë janë pjekur kushtet edhe për aktakuza. Tash me një udhë në Prokurorinë Speciale krejt këto dosje i mbulon pluhuri”, ka shkruar ai.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, për shkarkimin e Isufajt ka thënë se “Republika nuk e duron mentalitetin parti-shtet”.

“Ushtari i lirisë, besimtari i shtetit të së drejtës dhe luftëtari më i madh i korrupsionit sot u ndal. Por çdo ndalje mund të jetë vetëm pika e rikthimit të madh. Kosova ka nevojë për besë e shpresë, e jo për shkarkime të njerëzve më të mirë e autoritativë që kishte sistemi i drejtësisë”, ka shkruar ai.

E kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, shkarkimin e Isufajt e ka cilësuar si një nga veprimet më të gabuara të pushtetit. Gjini ka deklaruar se Kosova ka bërë një hap të madh drejt totalitarizmit dhe ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke e akuzuar atë për mbrojtje të njerëzve që, sipas tij, duhet të përballen me drejtësinë.

Pas shkarkimit të Isufajt, Dren Paca është caktuar ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë