Shefi i Grupit Parlamentarë të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se zgjedhjet janë të mirëseardhura ndonëse sipas tij synim ishte që mandati të dërgohej deri në fund. Ai ka thënë se kanë qenë të befasuar nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, trnasmeton Gazeta Metro.
Sherifi në Interaktiv ka thënë se Nisma i ka dhënë mbështetje Haradinajt që nga fillimi i qeverisjes duke ia mundësuar edhe pozitën e kryeministrit.
“Padyshim që ne kemi qenë vendimtar për pozitën e tij të kryeministrit. Nuk mund të mohohet edhe një bashkëpunim i mëtutjeshëm me AAK-në”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në takim me qytetarët iu është kërkuar që në zgjedhje të shkohet si të vetëm dhe pa koalicione.
Duke folur për koalicionet PSD-VV-Nisma, ai ka thënë se në këtë fazë një gjë e tillë është e pamundur. Sherifi ka shtuar se Vetëvendosja i ka trajtuar egërsisht këto dy parti e sidomos PSD’në.
Ai thotë se Vetëvendosje do koalicion me LDK-në për të fituar zgjedhjet, jo për të fituar e majta.
“Vetëvendosja këto dy vite e gjysmë më shumë i ka interesuar se si të vijë në pushtet e si ta marrë pozitën e kryeministrit, e jo si të fitojë e majta”, thotë ai./gazetametro.net