Deklarimet e avokatit Tomë Gashi, rreth vdekjes së Astrit Deharit, e kanë shtyrë të reagojë Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Deklarata se “gardianët e kanë ditur se Dehari ishte i vdekur” për shërbimin korrektues të Kosovës prejudikon të gjeturat dhe raportet që priten të publikohen.
Shërbimi Korrektues i Kosovës, thotë se e vërteta për vdekjen e Astrit Deharit, do të dali në raportet zyrtare dhe se çdo prejudikim i tyre është i dëmshëm.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka besim të plotë se organet hetuese dhe Prokuroria do të publikojnë raportet zyrtare rreth rastit, andaj çdo prejudikim i tyre, i sjell dëm të vërtetës rreth rastit tragjik, familjes së të ndjerit dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se në pajtim me të gjeturat, ShKK do të ndërmarrë masat adekuate në pajtim me ligjin, ndaj cilitdo që ka shkelur rregulloret e brendshme dhe ligjet në fuqi./gazetametro.net