“Të jeni të sigurt se këtu nuk do të ketë mur i cili do të ndajë pjesën e rinovuar të rrugës dhe urës mbi lumin Ibër”, ka thënë përfaqësuesja speciale e Bashkimit Evropian në Kosovë Natalia Apostolova, duke folur për punimet në rindërtimin e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe ndërtimin e zonës së kalimtarëve në pjesën veriore të qytetit.
“Në këtë moment është në proces të ndërtimit, për atë arsye e them se ekzistojnë spekulimet se do të ndërtohet muri i ri, por kjo nuk është e vërtetë. Ky është vetëm konstruksioni i cili e mbron zonën e kalimtarëve dhe nuk do të jetë më i lartë se 40-60 centimetra me lule dhe gjelbërim të bukur sipas standardeve të cilat mund të shihni në vendet e Evropës Perëndimore”, ka thënë Apostolova, përcjellë gazetametro.net.
Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian thotë se përfundimi i punimeve dhe hapja zyrtare mund të pritet në muajt e ardhshëm por nuk ka precizuar datën e saktë se kur do të ndodh kjo, duke theksuar se deri te vonesa erdhi për shkak të ngjarjeve të pakëndshme të cilat ndodhën në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti.
“Jam e lumtur se ngjarjet dhe pengesat u tejkaluan. Tani kemi marrëveshje të përgjithshme në mes të Ministrisë së ambientit dhe Mitrovicës së veriut për atë se si do të duket saktë projekti. Dëshiroj të them se në një të ardhme të afërt, ndoshta në muajt e ardhshëm do të bëhet hapja solemne”, thekson Apostolova.
Përfaqësuesja speciale e Bashkimit Evropian ishte mysafire e debatit “Bashkëpunimi ndëretnik – arti dhe kultura” të cilin e organizuan RT Mitrovica dhe RT Mir, e i cili mblodhi artistët dhe të punësuarit në lami të kulturës nga gjithë Kosova. /gazetametro.net