Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, do ta përdorë forcën ushtarake kundër Ukrainës nga mesi i shkurtit.
“Nuk kam ide nëse ai e ka marrë vendimin përfundimtar, por ne qartazi i shohim të gjithë treguesit se ai do ta përdorë forcën ushtarake dikur ndoshta mes kohës së tanishme dhe mesit të shkurtit”, tha zyrtarja e lartë amerikane.
Më herët këtë muaj, ajo u takua me homologun rus në Vjenë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje ndaj krizës në rritje, shkruan Fox News, përcjell Gazeta Express.
Sherman tha se zyrtarët amerikanë besojnë që Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin gjithashtu mund të ndikojnë në kohën e ndonjë sulmi ndaj Ukrainës.
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se Lojërat Olimpike të Pekinit fillojnë më 4 shkurt, ceremonia hapëse, dhe Presidenti Putin pret të jetë atje. Mendoj se ndoshta Presidenti Xi Jinping (i Kinës) nuk do të ishte i mahnitur, nëse Putini do ta zgjidhte atë moment për ta pushtuar Ukrainën, prandaj kjo mund të ndikojë në kohën dhe në mendimet e tij”, shtoi ajo.
Nënsekretarja e Departamentit të Shtetit theksoi se përderisa Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për diplomaci, ato gjithashtu janë “duke u përgatitur për më të keqen”. Ajo përsëri tha se “edhe një ushtar rus që e sulmon më tej Ukrainën është çështje shumë serioze”.
Ndryshe, Rusia e ka vazhduar grumbullimin e trupave përgjatë kufirit lindor të Ukrainës. Mbi 100.000 trupa kanë zhvilluar ushtrime ushtarake në muajin e fundit. Sidoqoftë, Rusia mohon se ka plan për ta pushtuar Ukrainën.