Ankaraja po përpiqet të ngrohë marrëdhëniet me Washingtonin pas vitesh tensioni për blerjen e armëve ruse. Administrata Biden po punon për një marrëveshje armësh për të forcuar mbrojtjen ajrore të Turqisë, e cila do të pengonte një konflikt me Rusinë, transmeton Gazeta Metro.
Özgür Ünlühisarcıkli, drejtor i zyrës së Fondit Gjerman Marshall në Ankara, tha se lufta në Ukrainë ka kontribuar në një dinamikë të re për Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara, ku SHBA dhe Turqia po mbështeten te njëra-tjetra për t’u marrë me Rusinë.
“Turqia të ketë një forcë ajrore të fuqishme është e rëndësishme nga perspektiva e parandalimit. Por, nëse ka një luftë, atëherë sigurisht që Turqia të ketë një mbrojtje të fortë ajrore do të ishte shumë e rëndësishme për orvatjet e luftës”, tha Ünlühisarcıkli, duke shtuar se një konflikt i drejtpërdrejtë me Moskën duket i pamundur.
Presidenti amerikan Joe Biden kërkoi miratimin nga udhëheqësit e Kongresit për t’i shitur Turqisë raketa, radarë dhe pajisje elektronike për avionët e saj luftarakë F-16.
Turqia do të shpenzojë më shumë se 500 milionë dollarë për marrëveshjen e armëve nëse kjo arrihet.
Ünlühisarcıkli tha se avionët luftarakë janë thelbësorë për mbrojtjen e territorit të Turqisë pasi sistemi i mbrojtjes kundër raketave do të ishte shumë i shtrenjtë, shkruan JP.
Kishte frikë për një përshkallëzim në vitin 2015 kur një avion turk F-16 rrëzoi një avion luftarak rus që Ankaraja e akuzoi se kishte hyrë në hapësirën e saj ajrore.
Ünlühisarcıkli tha se marrëdhëniet u përmirësuan midis dy aleatëve të NATO-s pasi Ankaraja ofroi sigurinë në aeroportin e Kabulit në Afganistan. “Para kësaj, Turqia karakterizohej si ‘aleati ynë i ashtuquajtur’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por pas kësaj, terminologjia ndryshoi në ‘aleatin tonë të vlefshëm’.”
Lidhjet me SHBA-në kanë qenë të tensionuara prej vitesh. Në vitin 2018, Washingtoni vendosi sanksione të kufizuara ndaj Turqisë lidhur me ndalimin e një pastori amerikan, duke çuar në një krizë të kursit të këmbimit për lirën.
Çështja aktuale më e diskutueshme midis vendeve është blerja nga Ankaraja e sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400. Ankaraja ka qenë e bindur se nuk do t’i kthejë armët ruse dhe, si përgjigje, Washingtoni e përjashtoi Turqinë nga programi i avionëve luftarakë F-35.
Vitin e kaluar, presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se SHBA sugjeroi t’i shiste Turqisë avionë luftarakë F-16 në vend të F-35-ve që nuk do të merrte. Me Turqinë në krizë ekonomike dhe rënie të numrave të anketave për partinë në pushtet, Erdogan ka kërkuar të ngrohë lidhjet me vendet më të pasura me shpresën për të sjellë më shumë investime përpara zgjedhjeve kombëtare të planifikuara për në qershor 2023. Përgjigja e Biden ka qenë e vakët.
U deshën më shumë se tre muaj pasi Biden mori detyrën vitin e kaluar për të zhvilluar bisedën e tij të parë telefonike me Erdogan. Por lufta në Ukrainë theksoi vlerën e Ankarasë për NATO’n, me Turqinë që pret bisedime me zyrtarë të lartë nga Ukraina dhe Rusia.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, Biden i tha Erdoganit në një telefonatë se ai vlerësonte përpjekjet e Turqisë për të kërkuar një zgjidhje diplomatike, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Ankaraja gjithashtu ka kontribuar në interesat e NATO’s, duke përfshirë shitjen e dronëve në Ukrainë që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e sulmeve ruse dhe duke përdorur autoritetin e saj sipas Konventës së Montreux të vitit 1936 për të kufizuar hyrjen e Rusisë në Detin e Zi. Në të njëjtën kohë, pushtimi i Rusisë bëri të qartë rreziqet e sigurisë që vendi paraqet për fqinjët e tij.
Aaron Stein, drejtor i kërkimit në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme me qendër në Filadelfia (FPRI), tha për ‘Media Line’ se marrëveshja e mundshme e armëve do të ndihmonte në ruajtjen e forcës ajrore të vjetër të Turqisë, e cila do të avanconte interesat e NAT’-së në rast të një lufte me Rusinë.
Ai tha se programi F-16 ka qenë qendror në marrëdhëniet Turqi-SHBA për dekada dhe se Ankaraja do të kishte pak opsione nëse vendos t’u afrohej vendeve të tjera me shpresën për të siguruar një avion luftarak të krahasueshëm. “Nëse nuk kalon, ju në thelb do të shkëputni shtyllën kurrizore të marrëdhënieve moderne SHBA-Turqi,” tha Stein.
Megjithatë, ai paralajmëroi se marrëveshja u përball me pengesa të mëdha sepse ka disa në Washington që janë kundër saj. Senatori amerikan Robert Menendez, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit, ka qenë i zëshëm në kritikat e tij ndaj Turqisë në të kaluarën, duke thënë vitin e kaluar se Kombi i Anadollit nuk ka qenë i përkushtuar ndaj parimeve të demokracisë nën Erdogan. “Gjithçka varet nga fakti nëse Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë do të nënshkruajë apo jo shitjen e armëve”, tha Stein./gazetametro.net