Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin më 10 prill nis një seri takimesh jashtë vendit, me aleatët e Shteteve të Bashkuara, takime këto që vijnë në kohën e rritjes së tensioneve ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë dhe lidhur me atë që Uashingtoni e quan “sjellje destabilizuese” të Moskës, transmeton Gazeta Metro.
Gjatë javës, Austin pritet të takohet me qeveritë dhe liderët ushtarakë të Izraelit, Gjermanisë në selinë e NATO-s në Belgjikë si dhe do të vizitojë edhe Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Pentagoni, sekretari Austin do të “takohet me homologët e tij dhe zyrtarë të lartë për të biseduar për rëndësinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, sa i përket mbrojtjes dhe për të ritheksuar angazhimin e SHBA-së për sigurinë e qëndrueshme trans-atlantike”.
Më 14 prill, Austin pritet të takohet në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe bisedimet, sipas Pentagonit, do të fokusohen në atë “se si Aleanca po e trajton sjelljen destabilizuese të Rusisë” si dhe “rritja e terrorizmit të Kinës dhe sfidave globale si COVID-19 dhe ndryshimet klimatike”.
Para këtij takimi, Austin është paraparë që ta vizitojë edhe Berlinin për t’u takuar me ministren e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer. Pentagoni thotë se vizita në Berlin përfshin bisedime për “luftimin e ndikimit malinj të rivalëve tanë strategjikë dhe vazhdimit të dialogut për vendosjen e trupave amerikane në Gjermani dhe gjetkë”.
Ky turne i Austin nis vetëm një ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u konsultua me ministrat e Jashtëm gjerman dhe francez lidhur me nevojën që Rusia të ulë prezencën e saj ushtarake në gadishullin e okupuar të Krimesë dhe në afërsi të kufijve në lindje të Ukrainës.
Uashingtoni e akuzon Rusinë për “provokim” në lindje të Ukrainës.
John Kirby zëdhënësi i Pentagonit të premten para gazetarëve ka tërhequr vërejtjen se këto sjellje nga ana Rusisë janë parë edhe në të kaluarën, dhe shtoi se “rusët nuk ishin plotësisht transparent sa i përket asaj që po bëjnë” ka thënë ai të premten.
“Kjo është një grumbullim i madh…më i madhi që kemi parë që nga viti 2014” duke theksuar se të tilla grumbullime të mëhershme nuk përfunduan mirë për fqinjët e Rusisë”.
“Kjo është histori, kjo është mënyrë e veprimit që e kemi parë më parë nga Rusët në shumë vend dhe jemi shumë të vetëdijshëm për këtë histori” duke kujtuar pushtimin dhe aneksimin e Krimesë më 2014’n.
Në një deklaratë u tha se Blinken bisedoi me ministrin gjerman, Heiko Maas dhe atë francez, Jean-Yves Le Drian lidhur me nevojën e konsultimeve në mesin e aleatëve të NATO-s teksa është rritur frika se mund të ndodhë një përshkallëzim i madh në konfliktin në lindje të Ukrainës.
Kievi dhe Perëndimi i fajësojnë separatistët e mbështetur nga Rusia, të cilët kanë nën kontroll rajonet ukrainase të Donetskut dhe Luhanskit, se kanë kontribuar në rritjen e tensioneve, ndërkaq Moska për këtë gjë, fajëson Kievin zyrtar.
Po ashtu janë rritur shqetësimet, pasi Moska ka vendosur forca të shtuara në kufijtë me Ukrainën dhe po refuzon thirrjet ndërkombëtare që të tërheqë trupat.