Loading…

SHBA nisën trupa shtesë drejt Arabisë Saudite

  • 21/09/2019 | 10:53

SHBA nisën trupa shtesë drejt Arabisë Saudite

Pentagoni tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë trupa shtesë dhe pajisje kundërajrore në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të mbështetur aleatët e tyre nga kërcënimi iranian. Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper dhe Shefi i Shtabit të Forcave Amerikane, Joseph Dunford, thanë se këto janë masa mbrojtëse, duke mbështetur deklaratat e Presidentit Trump se sanksionet kundër Iranit do të jenë të mjaftueshme, transmeton Gazeta Metro.


Njoftimi pasoi sulmet e fundjavës së kaluar mbi rafineritë e naftës në Arabinë Saudite, për të cilët zyrtarët amerikanë thanë se janë kryer nga Irani, pretendime të cilat Teherani i ka mohuar.

Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, tha se presidenti Donald Trump “ka miratuar vendosjen e forcave amerikane që do të jenë të natyrës mbrojtëse”.

Sekretari Esper tha se Shtetet e Bashkuara ju përgjigjen kërkesës së sauditëve dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për përmirësimin e mbrojtjes së tyre kundërajrore dhe kundër raketave.

Gjenerali Joseph Dunford, shef i shtabit të Ushtrisë Amerikane, tha se hollësitë rreth vendosjes së trupave amerikane do të diskutohen gjatë fundjavës dhe do të bëhen publike javën e ardhshme.

“Sekretari Pompeo sapo u kthye këtë mëngjes, dhe sauditët kërkuan shtimin e mundësive mbrojtëse”, tha gjenerali Dunford. “Ne nuk kemi vendosur për ndonjë njësi të veçantë”, por ato që do të zgjidhen do të ndihmojnë në mbrojtjen kundërajrore të këtyre vendeve.

Të premten vonë, Kombet e Bashkuara thanë se kanë dërguar një ekip prej katër ekspertësh ndërkombëtar në Arabinë Saudite për të hetuar sulmet në rafineritë e naftës.

Më herët, presidenti Trump shpalli sanksione të reja kundër Bankës Kombëtare të Iranit, duke përshkallëzuar më tej trysninë ekonomike mbi Republikën Islamike, por duke u përmbajtur nga çdo veprim i drejtpërdrejtë ushtarak.

“Mendoj se sanksionet e bëjnë punën e tyre”, tha presidenti Trump gjatë një konference të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin e Australisë, Scott Morrison.

Presidenti Trump shpalli sanksionet e rja derisa administrata e tij po peshon mundësitë rreth Iranit, përfshirë veprimet për të dobësuar më tej ekonominë e tij, vendosjen e më shumë trupave amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme dhe sulmet e mundshme ushtarake.

Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, tha të enjten se se sulmet ushtarake amerikane apo të Arabisë Saudite ndaj vendit të tij do të çonin “në luftë totale”.

Shtetet e Bashkuara më parë vendosën sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Iranit për shkak të programit të tij të pretenduar bërthamor. Por, Departamenti amerikan i Thesarit tha te premten se sanksionet e fundit u vendosën pasi që Banka Qendrore e Iranit është përfshirë në “terrorizëm” duke siguruar “miliarda dollarë” Garda Revolucionare Islamike dhe Hezbollahun.

Presidenti iranian, Hassan Rouhani, ka theksuar shpesh se çfarëdo negociatash ndërmjet tij dhe Presidentit Trump, mund të ndodhin vetëm pas heqjes së sanksioneve amerikane./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë