Loading…

Sfarqa shkel ligjin për të favorizuar biznesmenin e njohur (Video)

  • 18/04/2017 | 11:21

Sfarqa shkel ligjin për të favorizuar biznesmenin e njohur (Video)

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, dhe tërë përkrahësit e tij në asamblenë komunale, kanë lënë anash obligimet ligjore, për të vepruar në interes të Tahir Malokut, një prej biznesmenëve më të njohur të këtij qyteti.


Synimi i biznesmenit të njohur nga Ferizaj, Tahir Malokut, për rrënimin e tri objekteve të vjetra banesore dhe, në vend të tyre, ndërtimin e një të riu të kompanisë “Fitorja”, ishte hedhur në votim në asamblenë e Ferizajt, më 9 mars të këtij viti.

Pushteti lokal i udhëhequr nga kryetari Muharrem Sfarqa nuk i kishte votat e duhura për t’i dhënë “dritën jeshile” kërkesës së pronarit të kompanisë “Fitorja”.

Bazuar në Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës Komunale duheshin 21 vota. Pro ofertës së kompanisë “Fitorja” votuan vetëm 18 ligjvënës nga 41 sa ka asambleja komunale.

Ndonëse mungonin edhe tri vota, pushteti lokal në Ferizaj vendosi që t’i shmangej ligjit. Mori vendim për t’i dhënë pronë komunale në shfrytëzim kompanisë së Malokut, përkundër mungesës së votave të mjaftueshme.

Ky vendim parasheh që kompania ‘Fitorja’ të shfrytëzojë për 99 vjet pronën komunale që gjendet në vendin e quajtur “Dëshmorët e Kombit”, afër shkollës fillore “Tefik Çanga”, në Ferizaj. Kjo pronë ka një sipërfaqe prej 2 mijë e 471 metra katrorë.

Kompania private, përveç se do të ndërtojë banesa për qëllime komerciale-shitjen e tyre, është e obliguar që të bëjë ndërtimin e një numri të caktuar të banesave për raste sociale dhe për banorët e tri komplekseve të vjetra banesore, të cilat do të rrënohen.

“Të drejtat dhe obligimet e palëve do të rregullohen me kontratë të veçantë të lidhur në mes të kryetarit të Komunës dhe shfrytëzuesit të pronës së paluajtshme të Komunës”, thuhet në vendimin e asamblesë komunale të Ferizajt.

Parashihet që kompania të investojë mbi 2 milionë euro në ndërtimin e objektit të ri. Derisa autoritetet komunale pajtohen me ofertën e kompanisë, ngjashëm nuk kanë vepruar banorët e tri komplekse banesore që do të rrënohen nga kompania “Fitorja”./Insajderi

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë