Salla e parlamentit të Maqedonisë është bërë sërish skenë e tensioneve ku ka pasur debate të ashpra mes kryetarit të parlamentit Xhaferi dhe deputetëve të partisë së Gruevskit.
Gjatë seancës së sotme të parlamentit të Maqedoniusë është evituar një incident i ri mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferi. Situata është tensionuar gjatë debatit lidhur me gjendjen alarmante në Strugë, për shkak të djegies së depos së qytetit.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev ka marrë fjalën në foltore pa i dhënë leje kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi. Pas disa paralajmërimeve, Gjorçev nuk është larguar nga foltorja, kurse kryeparlamentari Xhaferi, ia ka kërkuar sigurimit të Parlamentit, për të larguar deputetin e VMRO-DPMNE-së.
Megjithatë, sigurimi nuk e ka zbatuar këtë urdhër të Xhaferit, pasi në foltore kanë dalë edhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së, duke e detyruar kryetarin e parlamentit Xhaferi të kërkojë ndërprerjen e seancës për 10 minuta. Kjo situatë dëshmon se Xhaferi e ka të pamundur të kontrollojë plotësisht punimet e Parlamentit.