Shkelje e Rezolutës 1244 dhe ‘dhunë ligjore’ po cilësohet në Serbi anëtarësimi eventual i Kosovës në INTERPOL.
Sipas kreut të INTERPOL’it serb, Milan Dimitrijevic, anëtarësimi eventual i Kosovës në këtë organizatë më 20 nëntor, do të krijonte probleme për Serbinë, shkruan gazetametro.net.
“Udhëheqësia e INTERPOL’it me vite është e njohur me arsyet dhe argumentet e Serbisë dhe është e qartë mënyra se me të cilat kushte dikush mund të bëhet anëtar i ri”, ka thënë shefi serb i INTERPOL’it për televizionin publik serb.
Ndërkaq, përveç që e shohin rrezik për Serbinë, sipas Dimitrijevic, anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë policore, do të krijonte probleme edhe për vendet e tjera.
Madje, sipas tij, krijimi i bashkëpunimit të ri mes INTERPOL’it dhe Kosovës do të përbënte shkelje të Rezolutës 1244 pasi ai vlerëson se ka ekzistuar bashkëpunimi mes kësaj organizate dhe UNMIK’ut për këtë hapësirë.
“Bashkëpunimi i INTERPOL’it dhe UNMIK’ut zgjatë nga viti 2002 dhe mbulojnë gjithë hapësirën andaj nuk ekziston asnjë argument që me këtë bashkëpunim nuk është e mbuluar e gjithë hapësira”, ka shtuar Dimitrijevic.
Ndërkohë, edhe më herët në Serbi u shprehën shqetësime për anëtarësim të Kosovës. Madje u tha se të gjithë shtetasit e Serbisë rrezikojnë të arrestohen nga INTERPOL posa të anëtarësohet Kosova.
Sidoqoftë, shteti kosovar është angazhuar fuqishëm për të siguruar votat për anëtarësim në INTERPOL më 20 nëntor, ku do të mbahet asambleja e përgjithshme./gazetametro.net