Serbia po futet fuqishëm në tregun e Shqipërisë me produktet e saj. Raportet zyrtare tregojnë se vetëm në dy vitet e fundit, ka pasur një rritje prej 35 për qind të shkëmbimit tregtar në mes të dy vendeve.
Qeveria e Edi Ramës, jo vetëm se ka relaksuar marrëdhëniet shqiptaro-serbe, pas vizitave të tij te Aleksandar Vucic në Beograd, por ka rritur edhe bashkëpunimin tregtar në mes të dy vendeve.
Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë, Ines Muçostepa, ka bërë të ditur se volumi tregtar i shkëmbimeve me Serbinë gjatë dy viteve të fundit është 222 milionë euro, duke pasur një rritje prej 35% krahasuar me vitin 2016.
“Dy vitet e fundit kanë qenë shumë dinamikë në shkëmbimet e informacioneve në njohjen, lidhjen, vendosjen e bashkëpunimit të firmave në fusha të ndryshme si ato ushqimore, logjistike, turizëm, import dhe eksport. Eksportet drejt Serbisë u rritën me 12% krahasuar me vitin 2016, me një vlerë prej 36 milionë euro. Gjithashtu edhe importi nga Serbia për vitin 2017 pati një rritje prej 38% me një vlerë prej 186 milionë euro”, ka thënë Muçostepa.
Sipas Muçostepës, edhe për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, volumi tregtar i shkëmbimeve me Serbinë është rritur me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm dhe shkëmbimet tregtare pothuajse në të gjitha zërat dominohen ndjeshëm nga importi.
“Në kuadër të shkëmbimeve tregtare me vendet e Ballkanit Perëndimor, shkëmbimet me Serbinë zënë rreth 34.8% të totalit”,ka shtuar ajo. /gazetametro.net