“Kosova është një rrëfim kolonizimi që zgjati gati një shekull, dhe i përpjekjes së vendosur të popullit të saj për çlirim nga regjimi gjenocidal i Serbisë”.
Kështu ka thënë në hyrje të fjalimit të saj, mbajtur në Strasburg nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, deputetja e Vetëvendosjes, Aida Dërguti, në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Tutje, ajo ka thënë se shteti serb, gjatë luftës së fundit në Kosovë, vrau më shumë se 12,000 njerëz.
“Mbi 95% e tyre ishin civilë të pambrojtur – kryesisht fëmijë, gra dhe të moshuar. Më shumë se 3,000 janë rrëmbyer dhe 1,600 persona janë ende të pagjetur. Ka pasur 20,000 gra dhe vajza të dhunuara. Mbi 740,000 persona janë dëbuar me forcë nga vendi, ndërsa 120,000 shtëpi janë shkatërruar nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe”, ka thënë Dërguti.
Dërguti ka thënë se Serbia po mbetet peng e së kaluarës, dhe sipas saj ajo ende e pretendon Republikën e Kosovës si pjesë të territorit të Serbisë.
“Pavarësisht këtyre krimeve, Serbia ka refuzuar të kërkojë falje dhe ende e pretendon Republikën e Kosovës si pjesë të territorit të Serbisë, ndërkohë që financon në mënyrë të drejtpërdrejt strukturat paralele kriminale të saj brenda Kosovës, që mbajnë nën kontroll të armatosur një të katërtën e territorit. Serbia nuk e ka tejkaluar të shkuarën e saj koloniale”, ka thënë ajo.