Kryeministri serb Aleksandar Vucic ka pritur sot, me nderime shtetërore, kryeministrin Grek Alexis Tsipras i cili ka shkuar për vizitë njëditore në Serbi.
Pas pritjes solemne, takimit “krye për krye” të dy kryeministrave, takimit plenar të delegacioneve të Serbisë dhe Greqisë, Tsipras dhe Vucic i drejtohen publikut.
Përveç bisedave për çështje ekonomike siç janë turizmi, shkëmbimi tregtar dhe transporti, në fokus ishin edhe bisedat për çështje politike.
Vucic ka thënë se bashkë me kryeministrin Tsipras kanë analizuar situatën në Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se është falënderues atij vendi se nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“I jemi falënderues Greqisë në këtë çështje dhe shpresojmë se këtë qëndrim ajo do ta mbajë edhe në të ardhmen”, ka theksuar Vucic.
Ai gjithashtu ka shtuar se është arritur shkalla e lartë e pëlqimit rreth marrëdhënieve me miqtë tradicional të tyre, me Federatën Ruse dhe Kinën si dhe me shumë vende tjera.
Nga ana tjetër Alexis Tsipras ka theksuar se Greqia është stabile në qëndrimin rreth Kosovës, transmeton gazetametro.net.
“Ardhmëria e Ballkanit mund të ndërtohet vetëm në themele të së drejtës ndërkombëtare, e jo me intervenime, shkelje të rregullave. Në Ballkan nuk ka më vend për ato gjëra”, ka thënë kryeministri grek.
“E kemi theksuar rëndësinë strategjike të kyçjes së Serbisë në Bashkësi Evropiane, Greqia aktivisht dhe në mënyrë të qëndrueshme e përkrah rrugën e juaj. Pranojmë se ekzistojnë vështirësitë e mëdha dhe sakrifica të mëdha të cilat populli serb duhet t’i vuaj për të arritur këtë qëllim, por ne do t’ju ndihmojmë në këtë”, ka thënë Tsipras./gazetametro.net