Mos implementimi i marrëveshjes për Energji midis Kosovës dhe Serbisë, po e pengon pavarësimin përfundimtar të transmisionit elektrik kosovar KOSTT dhe po i ushqen operatorët ilegal në Veri të Kosovës, transmeton Gazeta Metro.
Këtë e ka thënë negociatorja e Kosovës Edita Tahiri, e cila edhe është ministre pa portofol.
“Marrëveshja për Energjinë, përkatësisht fillimi i punës së KOSST-it si operator i pavarur, është bllokuar nga Serbia tash e një vit e gjysmë. Serbia që nga paslufta ka ndërhyrë në operatorin ilegal në fushën e energjisë në pjesën veriore të vendit dhe praktikisht qasja e operatorëve tanë publikë të energjisë në veri ka qenë e bllokuar për krejt këto vite”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka spjeguar se energjia konsumatorëve inkasohet ilegalisht në Veri, duke e pasur parasysh se për këtë shfrytëzohet edhe ilegalisht transmisioni dhe distribucioni i operatorëve legal dhe shtetëror, që vetë gjenerojnë humbje për buxhetin dhe ekonominë e Kosovës.
Megjithëkëtë, Tahiri nuk ka bërë të diotur se këto çështje dhe vonesa nga ana e shtetit dhe delegacionit të Serbisë, sa seriozisht janë ngritur në Bruksel./gazetametro.net