Kryetarët e komunave të veriut kanë reaguar pas vizitës së kryeministrit Isa Mustafa atje. Ata kanë thënë se do ta ndërpresin komunikimin dhe bashkëpunimin me KFOR-in, i cili sipas tyre sot ka luajtur rolin e mbrojtësit të shefit të Qeverisë.
“KFOR-i sot ka qenë një faktor i destabilizimit, dhe kjo manovër e tyre kishte për qëllim ndalimin e procesit të normalizimit”, thuhet në reagimin e tyre
“KFOR-i me këtë rast e ka kaluar vijën e hollë nga një forcë paqebërëse duke i shërbyer nevojave të stabilizimit të situatës në Kosovë dhe Metohi”, vazhdon tutje.
“Duke lënë mënjanë politikën, KFOR-i ka dëmtuar besueshmërinë e saj me popullin serb në veri të krahinës”, thotë reagimi, transmeton gazetametro.
“Mustafa sot vizitoi veriun kundër vullnetit të qytetarëve atje”, potencohen në reagim.
Këto deklarata i kanë bërë kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, duke iu përgjigjur kështu vizitës së kryeministrit Isa Mustafa dhe një pjese të kabinetit të tij në përurimin e urës të financuar nga NATO, që lidh Zveçanin me Leposaviqin, dy qytetet më veriore të Kosovës.
Ndryshe, eskorta e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, të premten në mesditë, ishte nisur për në veri të vendit. Ajo arriti në destinacionin e saj, saktësisht tek ura e re e ndërtuar nga KFOR’i, që lidhë dy komunat kosovare me shumicë serbe, Zvecanin dhe Leposaviqin. Por, jo siç ishte paraparë.
Eskorta e Mustafës u desh të kthehej mbrapa kur mbërriti në fshatin Rudare. Banorët e këtij fshati të banuar me serbë kishin bllokuar qarkullimin e rrugës, madje këtë e bënë edhe duke vendosur një kamion mallrash në mes të saj.
Megjithatë, Mustafa dhe eskorta e tij gjeten zgjidhje. Ata përmes rrugës alternative arritën deri tek Bistrica, ku kryeministri bashkë me drejtuesit e KFOR’it përuruan urën e re që lidh këto dy komuna serbe.
Për pjesëmarrjen në këtë ceremoni ka njoftuar edhe vetë Kryeministri i vendit, por anashkaloi pengesën që i doli gjatë rrugës.