Artistja amerikane Selena Gomez po përballet me një proces gjyqësor të ngritur nga pesë investitorë të platformës së shëndetit mendor “Wondermind”, të cilën ajo e bashkëthemeloi rreth pesë vjet më parë me nënën e saj.
Investitorët pretendojnë se Gomez nuk e ka mbështetur kompaninë në nivelin që ishte premtuar dhe se për shkak të kësaj janë mashtruar lidhur me rreth 1.2 milionë dollarë të investuara.
Sipas tyre, fama e Gomezit dhe ndikimi i saj në marketing do të luanin rol të rëndësishëm në zhvillimin e kompanisë, ndërsa ajo do të angazhohej edhe në një rol drejtues.
Gomez i ka mohuar akuzat. Avokati i saj, Matthew Rosengart, i ka kërkuar gjykatës që këto pretendime ndaj artistes të hidhen poshtë, duke i cilësuar si të paqarta dhe kontradiktore.
“Pretendimet kundër saj janë të pabazuara, në mos krejtësisht të pavlera”, ka thënë Rosengart, duke shtuar se ekipi ligjor po shqyrton edhe mundësi të tjera, përfshirë kërkesën për masa ndëshkuese ndaj paditësve.
Rasti ka rikthyer në vëmendje edhe sfidat që mund të sjellin bizneset e përbashkëta mes familjarëve. Ekspertja e komunikimit Lauren Beeching ka theksuar se marrëdhëniet personale duhet të ndahen qartë nga përgjegjësitë profesionale dhe strukturat drejtuese të një kompanie.
Megjithatë, ajo vlerëson se çështja nuk pritet domosdoshmërisht të shkaktojë dëme afatgjata në imazhin publik të Gomezit, duke pasur parasysh se ndikimi i një lajmi të tillë mund të jetë më i kufizuar te audienca e saj kryesore. Beeching ka këshilluar gjithashtu personazhet e famshme që të jenë veçanërisht të kujdesshme para se ta lidhin emrin dhe reputacionin e tyre me një biznes.