Përplasja politike për konstituimin e Kuvendit po merr përmasa të reja, pasi opozita ka nisur të paralajmërojë edhe protesta në kundërshtim me kushtëzimin e procesit me një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, shkruan Gazeta Metro.
Në PDK dhe AAK po rriten zërat për veprime jashtë institucioneve, ndërsa deputetë të këtyre subjekteve e shohin situatën e krijuar si të papranueshme dhe kërkojnë reagim më të ashpër politik.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, deklaroi se vetëm rruga institucionale nuk është më e mjaftueshme për përballjen me situatën aktuale.
“Është absurditet ne me dërgu edhe një herë në Gjykatë Kushtetuese, kur është dëshmuar 100 herë se çdo herë kur kemi dërguar raste në Kushtetuese, ata kanë dalur të lagur apo të abuzuar me Kushtetutën. Ne e dimë se mbi 20 raste janë që është vërtetuar se kanë shkelur Kushtetutën. Më nuk ka rrugë vetëm institucionale dhe e vetmja (zgjidhje) do të jetë rruga”, tha ai.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Artan Behrami, paralajmëroi protesta si mënyrë për të kundërshtuar zhvillimet politike.
“Protestë, protestë. Protestë, protestë. Protestë, protestë”, shkroi ai.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe deputeti i Aleancës, Bekë Berisha, i cili ka kërkuar mobilizim qytetar dhe veprime në institucione, por edhe jashtë tyre.
“Me të gjitha format do ta ndalojmë, në Kuvend e në rrugë. Besoj që fatkeqësisht na duhet me hy edhe në ato ujëra. Duhet të mobilizohemi kushdo që e ndjen veten shqiptar”, ka thënë ai për Klan Kosova.
Përplasjes së opozitës i është përgjigjur nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca. Ai bëri të ditur se Albin Kurti do t’u drejtohet përsëri liderëve opozitarë me synimin për të gjetur një marrëveshje politike.
Konjufca ka insistuar se dialogu mes partive duhet të vazhdojë, duke e lidhur këtë edhe me përplasjet e ndodhura në seancën e së shtunës.
“Kurti do t’u drejtohet sërish, kurrë nuk do të lodhemi nga dialogu politik, do të vazhdojnë përpjekjet edhe PDK-ja, edhe LDK-ja e Aleanca. Çdo dëm që ju po e konsideroni është më i vogël se ajo çka pamë në seancë, dhuna ndaj kryeministrit dhe ndaj deputetëve tanë. A thonit keq edhe atëherë? Nëse është keq, është keq edhe kësaj radhe. Është më pak dëm sesa të shkohet në zgjedhje të reja, të dy këto dëme janë më të mëdha. Nuk është duke u shkelur Kushtetuta”, ka deklaruar Konjufca.
Ndërkohë, vazhdon të mbetet e hapur çështja e thirrjes së seancës konstituive. Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, vazhdimi i saj parashihet të thirret brenda çdo 48 orësh, ndërsa sot një veprim i tillë nuk është ndërmarrë nga VV-ja./gazetametro.net