Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka konfirmuar se Kosovës dhe Serbisë, i është dorëzuar versioni i fundit i propozimit të ri franko-gjerman, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, shkruan Gazeta Metro.
Në konferencën për media pas Samitit BE-Ballkan Perëndimor të organizuar në Tiranë, Scholz ka folur për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ai tha se Gjermani është angazhuar intensivisht me Komisionin dhe Francën, që është një herë të organizohet një përparim.
“Sa i përket pyetjes së propozimeve për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, është e vërtetë që i kemi zhvilluar. Gjermania është angazhuar intensivisht me Komisionin dhe Francën, që është një herë të organizohet një përparim. Për këtë nuk është befasi që qëndrojmë prapa propozimeve, që janë dakorduar ngushtë dhe janë zhvilluar”, tha Scholz.
Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, Scholz ka thënë se është me rëndësi që të ndodhë dhe është perspektivë e mirë.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, konfirmoi sot se Prishtina dhe Beogradi kanë marrë tekstin e përditësuar të të ashtuquajturit plan franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve.
Plani i BE-së, i cili mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndonëse ka kohë që përflitet, për përmbajtjen e tij nuk ka informacione zyrtare.
Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. /gazetametro.net