Ambasadori i Gjermanisë Thomas Schieb ka deklaruar sonte se vizatimi i kufijve sipas linjave entike do të ishte në kundërshtim me atë që dëshirohet të arrihet në regjionin e Ballkanit Perëndimor, deri sa ambasadori amerikan Kyle Scott shpjegon se amerikanët mbështesin marrëveshjen e Serbisë e Kosovës si dy shtete sovrane, por nuk japin pëlqim blanko.
Së paku kështu njoftojnë mediet e Beogradit, sipas të cilave Schieb në debatin në kuadër të Forumit të Beogradit për siguri ka thënë se Gjermania mendon se ideja mbi këmbimin e territoreve nuk është e mirë, sepse një zgjidhje e tillë mund të prodhojë më shumë probleme se sa që do t’i zgjidhte.
Pasojat në rast të këmbimit do të ndjeheshim larg jashtë këtij regjioni, është i bindur Schieb, i cili njëkohësisht porosit se perspektiva evropiane e regjionit është shumë e qartë dhe se duhet vazhduar reformat, njofton agjencia FoNet.
Ai ka përsëritur se hyrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është njëri prej prioriteteve të Gjermanisë, transmeton gazetametro.net..
Kolegu i tij, ambasadori i ShBA-ve Kyle Scott, ka thënë se amerikanët nuk vënë kurrëfarë parakushtesh për dialogun e Serbisë e Kosovës.
Ekziston rreziku i mbajtjes së status kuosë, e jo vetëm nga këmbimi eventual i territoreve, ka vlerësuar Scott dhe ka theksuar se situata nuk është si në vitin 1999 dhe amerikanët presin që Serbia e Kosova të arrijnë marrëveshje si dy shtete sovrane.
Kjo marraveshje do të fitonte mbështetjen e ShBA-ve në qoftë se do t’i kontribuonte stabilitetit, e jo zhvillimit të problemeve të reja, ka thënë Scott, i cili mendon se amerikanët në Ballkan udhëheqin politike konsistente dhe se kanë bashkëpunimtë afërt me aleatët e tyre evropianë.
Ai ka thënë se ShBA-të mbështesin integrimet Evropiane dhe janë të vetëdijshmë se procesi është i gjatë dhe i komplikuar, por se njëkohësisht është i bindur se vendet e Ballkanit Perëndimor me zbatimin e reformave bëhen shoqëri më të mira e më stabile.
Forumi beogradas i sigurisë vazhdon punën të premten./gazetametro.net