Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, ditë më parë i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ku ndër të tjera ka kërkuar që të bëhet një marrëveshje për punën e energjisë elektrike në veri të Kosovës. Ndërkaq pas kësaj letre, një afat të mundshëm se kur potencialisht duhet të gjendet një zgjidhje, e ka dhënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, teksa ka folur për zgjidhjen e krizës energjetike në vend, transmeton Gazeta Metro.
Konjufca ka thënë se dy çështjet kritike janë kthimi në punë i Bllokut B2 dhe futja e veriut të Kosovës në pagesë.
Sipas tij, nëse këto dy çështje zgjidhen deri në qershor, atëherë dimri tjetër do të jetë i pavërejtshëm.
“Unë po mendoj që ajo që e tha Astriti si muhabet që u mundu t’i grumbullojë disa resurse, duke u mund me e dhanë pak ma optimist totalitetin e megavateve. Unë mendoj në gjashtë muajt e ardhshme, kritike është kthimi i bllokut, edhe kritike është futja e pjesës së veriut të Kosovës në pagesë. Na po jemi si afat, unë mendoj që nëse me 1 qershor vijm qetu, edhe qeto probleme janë zgjidh. Unë po e jap si një far verzioni. Unë mendoj që dimri i vitit 2022/3, ka me qenë krejtësisht i pavrejtshëm, si disa dimra të 2015-ës, 2016-ës”, ka thënë Konjufca në Rtv Dukagjini.
Kosova është duke u përballur me një krizë energjetike që nga muajt e fundit të vitit të kaluar. Qeveria ka ndarë disa miliona euro për subvencionimin e energjisë, derisa ZRRE-ja ka propozuar ndryshim të tarifimit për ata që shpenzojnë më shumë se 600 kWh.
Kjo është kundërshtuar nga opozita, të cilët kanë paralajmëruar edhe protesta. Janë AAK dhe LDK që kanë paralajmëruar organizim të protestave, derisa PSD dhe një pjesë e shoqërisë civile kanë organizuar dy protesta ndaras. /gazetametro.net