Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi se Evropa ka forcuar ndjeshëm rolin e saj brenda Aleancës, duke u shndërruar në një partnere më të fuqishme për Shtetet e Bashkuara krahasuar me pesë vjet më parë, transmeton Gazeta Metro.
Gjatë një diskutimi NATO-BE me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Turqi, Rutte theksoi nevojën për rritjen e kapaciteteve evropiane në fushën e mbrojtjes.
“Ne nuk mund të vazhdojmë, siç bëmë, të jemi tepër të varur nga Shtetet e Bashkuara. Ne kemi nevojë për këtë Evropë shumë më të fortë dhe një NATO më të fortë”, deklaroi ai, raporton CNN.
Ai theksoi se një nga prioritetet kryesore të Aleancës mbetet zgjerimi i industrisë së mbrojtjes në Evropë, SHBA dhe Kanada, duke shtuar se tashmë janë shënuar hapa konkretë me rritjen e kapaciteteve prodhuese.
“Ajo që po shohim në këtë moment është një transformim, i cili është i pashembullt që nga fundi i Luftës së Ftohtë, ku Evropa po merr shumë më tepër përgjegjësi për NATO-n. Është një NATO e transformuar, ku SHBA-ja ka një partner të fortë në Evropë, shumë më tepër sesa pesë vjet më parë. … Prandaj, e gjithë NATO është më e fortë”, theksoi Rutte./gazetametro.net