Rusia do t’i transferojë sistemet raketore me aftësi bërthamore Iskander-M tek aleati i saj Bjellorusia gjatë muajve të ardhshëm, tha të shtunën presidenti rus Vladimir Putin, transmeton Gazeta Metro.
Putin i tha presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko në një takim në Shën Petersburg se sistemet e raketave “mund të përdorin si raketa balistike ashtu edhe ato të lundrimit, si në versione konvencionale ashtu edhe ato bërthamore”, sipas Kremlinit.
Rusia nisi pushtimin e saj më 24 shkurt pjesërisht nga territori bjellorus, i cili kufizohet me Ukrainën në veri. Gjatë gjithë luftës, Moska e ka përdorur Minskun si një bazë satelitore, duke përfshirë për shumë prej operacioneve ajrore të Rusisë në Ukrainë, sipas inteligjencës së mbledhur nga aeroplanët e vëzhgimit të NATO’s.
Të shtunën, Ukraina pretendoi se forcat ruse kishin gjuajtur raketa të shumta në rajonet e Kievit, Chernihiv dhe Sumy nga Bjellorusia.
Në një transkript të takimit, Lukashenko i shprehu Putinit “stresin” e tij për ato që ai pretendonte se janë fluturime nga avionët e Shteteve të Bashkuara dhe NATO’s që “trajnojnë për të mbajtur koka bërthamore” afër kufirit të Bjellorusisë.
Ai i kërkoi Putinit të konsideronte “një përgjigje të qartë” ndaj fluturimeve ose të konvertonte avionët luftarakë rusë, të cilët aktualisht janë të vendosur në Bjellorusi, për të “mbartur koka bërthamore”, raporton CNN.
Putini u përgjigj se “nuk ka nevojë” të përputhet me fluturimet amerikane dhe sugjeroi se Bjellorusia mund të modifikonte aeroplanët e saj Su-25 për të qenë të aftë për sulme bërthamore.
“Ky modernizim duhet të kryhet në fabrikat e avionëve në Rusi, por ne do të pajtohemi me ju se si ta bëjmë këtë. Dhe në përputhje me rrethanat, filloni trajnimin e ekuipazhit të fluturimit,” tha Putin.
Bjellorusia mendohej të futej në luftë që në fillet e konfliktit, mirëpo një gjë e tillë s’ka ndodhur ende, të paktën jo në mënyrë direkte. Aleati i Putinit e ka ndihmuar mjaft shumë ushtrinë ruse në disa operacione, sidomos në fazën e parë të luftës, dhe si rrjedhojë është goditur me sanksione të ashpra nga Perëndimi./gazetametro.net