Shumë prej shteteve të globit i japin rëndësi të veçantë festës së Vitit të Ri, duke nisur nga bredhi e dritat e shumë ngjyrshme që zbukurojnë sheshet kryesore të qyteteve e deri tek mbrëmjet speciale që organizohen në gati çdo kryeqytet dhe qytete tjera të botës.
Edhe Prishtina, bashkë me qendrat tjera të Kosovës, janë harmonizuar me qytetet tjera të zhvilluara të botës, që krahas buxhetit kanë investuar në zbukurimet e shesheve dhe rrugëve kryesore të tyre. Ndërkohë qytetarët janë përcaktuar se si do ta kalojnë natën e ndërrimit të viteve, që në mënyrë tradicionale në Kosovë kalohet deri në ora 12:00 në shtëpi, e më pas në ndonjë organizim jashtë ambienteve familjare.
Disa qytetarë të anketuar nga KosovaPress tregojnë më shumë se ku do ta festojnë këtë festë, ku kishte edhe prej atyre që ishin të vogla me moshë dhe nuk preferonin ndonjë lokal por të rrinin në shtëpi.
Gresa Bahtiu, një qytetare nga Prishtina, thotë se natën e parë do ta kalojë me familje ndërsa të dytën me shoqëri në kryeqytet, ngase Prishtina jep më shumë opsione për ta kaluar një mbrëmje më të mirë festive.
“Natën e parë me familje kurse natën e dytë besoj që me shoqëri. Ende nuk e kemi vendosur se ku por në Prishtinë. E kemi zgjedh Prishtinën sepse jemi mësuar me ambientin këtu dhe nuk kemi bë ndonjë plan kështu që Prishtina mbetet opsioni më i mirë, ku këtu ka organizime të mira”, tha Gresa.
Blendina e Anduena Abdullahu, të reja në moshë, thonë se edhe këtë festë do ta kalojnë në shtëpi me familje.
Një tjetër i ri nga Prishtina, Valdrin Rrustemi, pëlqen atmosferën që rezervojnë diskotekat në kryeqytet, dhe ashtu e ka planifikuar festën e Vitit të Ri.
“Natën e vitit të ri do ta kalojë në Prishtinë, besojë në ndonjë diskotekë. Natën e dytë me familje. Prishtina është vend më i mirë njerëzit më të mirë dhe bëhet më atmosferë”, shtoi ai.
Kurse disa që jetojnë jashtë vendit, kishin zgjedhur Kosovës që të festonin këtë festë.
“Natën e parë në Prishtinë me familje kurse natën e dytë në Pejë. Ne kemi ardh prej diasporës me festu këtu dhe jemi të Pejës”,tha ai.
“Natën e parë me familje. Natën e dytë në ndonjë lokal, nuk e kam vendos por në Prishtinë”, tha ai.
Gjithashtu lokalet nuk i preferojnë të gjithë. Disa familjarë dëshirojnë që të rrinë në shtëpi vetëm me familje dhe jo të dalin në ndonjë lokal.