Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar në lidhje me emërimet e sotme të rrugëve në Mitrovicën e Veriut nga ministrja Fitore Pacolli, duke thënë se kundërshtojnë çdo nismë për të nderuar figura politike serbe me emra rrugësh apo simbole publike kudo në tokën e Kosovës, transmeton Gazeta Metro.
“OVL UÇK, kundërshton çdo nismë për të nderuar figura politike serbe me emra rrugësh apo simbole publike kudo në tokën e Kosovës. Plagët e luftës mbeten të hapura. Mijëra familje ende vajtojnë të vdekurit dhe kërkojnë të zhdukurit. Asnjë qeveri nuk ka të drejtë ta këmbejë atë dhimbje me gjeste të maskuara si pajtim. Pajtimi i ngritur mbi heshtjen ndaj krimeve nuk është aspak pajtim”.
Në reagim thuhet se plagët e luftës mbeten të hapura dhe se asnjë qeveri s’ka të drejtë ta këmbejë atë dhimbje me gjeste të maskuara si pajtim.
“Është dorëzim. Kosova ka heronjtë e saj. Atyre u takon nderi që mbart kjo tokë. Kur vetë institucionet të cilave u është besuar sovraniteti qoftë edhe nëse shqyrtojnë nisma të tilla, ato dështojnë në qeverisje dhe tradhtojnë të gjallët bashkë me të vdekurit”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së./gazetametro.net