Loading…

Rruga deri te bursa e studentëve kosovarë

  • 05/02/2022 | 14:30

Rruga deri te bursa e studentëve kosovarë

Të flasësh si të fitohet një bursë është më e lehtë sesa ta fitosh atë.


Bursat janë ndihmë financiare që ndahen për të lehtësuar procesin e studimeve apo edhe jetesën jashtë shtetit.

Paulina Behluli, studente 24-vjeçare nga Prishtina ka fituar bursë 50 për qind nga Universiteti Hertie në Berlin.

Ajo është në vitin e parë të studimeve në nivelin master për politika publike.

Sipas saj, mundësitë për të fituar bursë shtohen duke aplikuar në sa më shumë universitete.

“Unë natyrisht nuk kam aplikuar vetëm në Hertie, sepse çfarë është probabiliteti që unë të pranohem edhe të fitoj bursë një për një? Natyrisht që duhet t’i rrisësh mundësitë duke i rritur aplikimet. Kam aplikuar edhe në Finlandë në Universitetin Tamper. Në fakt në Finlandë kam marrë 100 për qind bursë e në Hertie kam marrë 50 për qind bursë, por prapëseprapë kam vendosur që të shkoj në Hertie”.

Sipas revistës amerikane Forbes, Shtetet e Bashkuara ndajnë më shumë se 6 miliardë dollarë për bursa, të cilat mund t’i përfitojnë mbi 1 milion studentë.

Sipas Komisionit Evropian, përreth Evropës ekzistojnë rreth 100 bursa dhe skema financiare për studentët ndërkombëtarë.

Nga 20 deri në 100 mijë euro bursa për studentët nga Kosova
Nëpër botë ndahen bursa të llojllojshme; bursa si shpërblim për nota të larta gjatë studimeve, bursa komunale si shpërblim për studentët e dalluar të atij qyteti, dhe bursa që ndajnë universitetet dhe fondacionet e ndryshme në botë për t’ia mundësuar një studenti jetesën dhe studimet jashtë shtetit.

Vlera dhe përqindja e bursës që mund të fitohet dallon po ashtu.

Studentët nga Kosova kanë arritur të fitojnë bursa në Evropë dhe SHBA nga 20 mijë e deri në 100 mijë euro, duke përfshirë aty të gjitha shpenzimet.

Shumë studentë tregojnë se procesi i aplikimit me bursë përcillet me stres.

Secili universitet apo kolegj ka rregulloret e veta dhe kushtet në bazë të të cilave ndan bursa, mirëpo njohësit e procesit të aplikimit përmendin pikat e përbashkëta të tyre.

“Ato që i rrumbullakësojmë ne të përafërta janë: letra motivuese, që është kryesorja për një student në mënyrë që ta ‘shesë’ veten te universitetet evropiane, mandej është CV, është nota mesatare, niveli i gjuhës angleze”, ka thënë Blerinë Zjaqa – Osmani, ushtruese e detyrës së koordinatorit në Zyrën e programit Erasmus Plus në Prishtinë.

Përmes këtij programi – të financuar nga Bashkimi Evropian – qytetarët e Kosovës kanë përfituar mbi 4,000 bursa në periudhën 2015-2019.

Zjaqa – Osmani tregon edhe për mundësitë e të rinjve nga Kosova për të fituar këto lloj bursash.

“Programi Erasmus Plus ofron dy mundësi për studentët kosovarë. E para mundësi është për studimet afatshkurtra, një deri në dy semestrale. Për me qenë studentët përfitues në kuadër të këtyre bursave, duhet të jenë të regjistruar fillimisht në një universitet vendor, universitet apo kolegj. Mënyra e dytë për aplikim, është mundësia për studime të plota në nivelin master”.

Diellëza Namani, instruktore për testet e standardizuara të gjuhës angleze, tregon për Radion Evropa e Lirë se studentët aplikojnë për bursa në shumë vende të botës, mirëpo ndër ato që duan më shumë janë ato nga KAEF, Chevening dhe Erasmus.

Letra motivuese – kyçe për pranim

Paulina Behluli tregon se nga të gjitha dokumentet që ka bërë gati për aplikim, letrës motivuese i ka kushtuar më së shumti rëndësi.

“Ndoshta notat e larta nuk vlerësohen edhe aq sa unë mendoj që vlerësohet letra e motivimit. Në letrën e motivimit, ti e ke mundësinë që të shprehesh dhe të pasqyrosh a je ti mbrapa atyre notave në njëfarë mënyre….Unë e çmoj modestinë, por në këso raste duhet të bëhet një lloj kompromisi, nuk duhet me qenë shumë modest, duhet të tregosh se kush je, çfarë kapacitete ke, çfarë do të përfitojë universiteti prej teje, pse ti, por në të njëjtën kohë që të ketë balancë se çfarë dëshiron edhe ti nga universiteti”.

Por, vetëm ajo nuk mjafton.

Testet e standardizuara të gjuhës janë po ashtu të domosdoshme për bursë.

“TOEFL dhe IELTS janë teste të standardizuara që duhet të kryhen prej studentëve në momentin kur synojnë të aplikojnë në ndonjë universitet jashtë vendit. Të dyja janë teste të standardizuara, mirëpo IELTS kërkohet më së shumti në Angli, ndërsa TOEFL në Evropë dhe vende tjera. Nuk kanë pikë kalueshmërie që do të thotë se pika e kalueshmërisë varet nga universiteti. Disa universitete kërkojnë 80 pikë, ndërsa disa kërkojnë 100 pikë, prej 120 si total”, ka thënë Diellëza Namani për Radion Evropa e Lirë.

Testi për TOEFL kushton rreth 175 euro, ndërsa IELTS rreth 150 euro.

Nëse nuk gjeni termine të lira në Prishtinë, këto teste mund t’i kryeni edhe në vendet tjera të rajonit, në Tiranë, Shkup apo Beograd.

Studentë, duhet të jeni të organizuar!

Nëse kërkoni në internet, do të mund të gjeni qindra këshilla se çfarë duhet të keni parasysh para se të aplikoni për bursë.

Tentoni të mos stresoheni dhe:

krijoni një listë të bursave që për të cilat doni të aplikoni dhe bëjini prioritet në bazë të afateve kohore. Asaj që i mbyllet afati më shpejt, renditeni të parën në listë.
bëjeni një listë me kërkesa që shihni nëpër aplikacione, dhe bëni gati të gjitha dokumentet.
mos harroni të kërkoni emrin tuaj në Google dhe të rishikoni përmbajtjen që keni në rrjetet sociale. Njerëzit që synojnë të ju japin bursë, investojnë në të ardhmen tuaj, andaj duhet të reflektoni pozitivisht tek ata.

Disa universitete i ftojnë aplikuesit edhe në intervista. Ani pse mund të jeni të stresuar atë ditë, ose edhe pa disponim, mos harroni se edhe gjërat më të vogla kanë rëndësi.

Sigurohuni që ju punon kamera si dhe largojini gjërat e papërshtatshme nga prapavija.
Paulina beson se gjithë përgatitjes duhet shtuar edhe dozën e pozitivitetit.

“Objektivisht, duke mos e lidhur me vetveten, normal duhet më pak stres, më pas më pak presion. Me pozitivitet arrihen edhe më shumë rezultate, shkrimi është më kualitativ nëse e merr me qetësi, lehtësi, pozitivitet”.

Përgatiteni veten për gjithçka këtë periudhë, qoftë ajo fitore, apo më shumë përpjekje për bursë në aplikimin e radhës. /rel

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë