Kur shumë deputetë e anëtarë të partive të tjera janë deklaruar se zgjedhjet janë afër, dhe kjo është parë si zgjedhje e vetme e një krize politike, Rrustem Mustafa nga PDK’ja duket se nuk po mendon ashtu. Siç thotë ai, qeveria ka nevojë për riformatim.
Madje, ai ka thënë se qeveria ka përformuar dobët dhe se ka ministra joadekuatë.
“Performimi i dobët i Qeverisë, i dikastereve me njerëz joadekuatë, kisha për të thënë se ka shumë ministra jokompetentë në Qeveri, kanë bërë që të duket kështu. Unë e di që ka ardhur koha dhe ka qenë koha edhe më herët sesa që po e them unë, që të ketë një ndryshim në Qeveri dhe të ketë riformatim të Qeverisë në mënyrë që të ecet me prioritet dhe konform situatës që jemi”, ka thënë Rrustem Mustafa.
Por, ka qenë deputeti i LDK’së që e ka pranuar se zgjedhjet nuk përjashtohen. Sipas tij, nëse kjo do të ndodhte, elemente kryesore shtyese nuk do të ishin ushtria, demarkacioni e Gjykata Speciale. Siç thotë ai, kurdo që vendosin partnerët e koalicionit, mund të mbahen zgjedhjet.
“Nuk e mohoj mundësinë e zgjedhjeve, por në kuadër të analizës po them se (demarkacioni, ushtria, Gjykata Speciale) nuk janë elementet kryesore, të cilat mund të çojnë në zgjedhje. Por, gjithsesi nëse partnerët e koalicionit vendosin që të mos jenë më bashkë, në çdo moment mund të mbahen zgjedhjet”, ka thënë Arben Gashi.
Ndryshe, opozita po kërkon me ngulm dorëheqjen e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, ani pse kjo qeveri ka mandat deri në vitin tjetër. Bile, kërkesat për zgjedhje kanë qenë aktuale që nga marrja e ekzekutivit nga ana e LDK’së./gazetametro.net