Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë keq në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurtit. Në fakt ky rezultat, në përqindje dhe në numër të vendeve të siguruara në parlament është rezultati më i ulët ndonjëherë që nga themelimi i LDK. Pra, ndodhi ajo që më së paku është pritur dhe ndoshta ky rezultat mund të vie si reagim apo/edhe votë anti-establishment, e cila përkufizohet si votë mllefi ose si votë jonkonvencionale ndaj strukturave të caktuara brenda udhëheqjes së LDK.
Shkruan: Flamur Beqiri
Edhe pse predispozitat për një funksionim normal të partisë ekzistonin tani me këtë rezultat zgjedhor është më se e qartë se kishte një shkarje në mes të strukturave partiake në qendër dhe shumicën e degëve me strukturat tjera të nivelit më të ulët dhe anataresisë dhe se një lloj vetëkënaqësie për paprekshmëri politike ishte prezente tek një numër i caktuar i strukturave udhëheqëse partiake e cila së fundi rezultoi me humbje të votës.
Pra, “lidhja” e domosdoshme, kryesi-strukturë-anëtarsi/votues duket se ka pasur një ngecje në funksionim apo thjeshtë ka dështuar. Dhe, si rrjedhojë e kësaj humbjeje kryetari dhe komplet kryesia e LDK ka ofruar dorëheqje duke i dhënë detyrë kuvendit të LDK që të bëjë përgatitjet e nevojshme që të zgjedhë kryetarin e ri brenda 60 ditëve, ashtu siq edhe e parasheh statuti dhe rregullorja e LDK për zgjedhjen e kryetarit të ri në kushte të tilla. Marrë parasysh se zgjedhja e kryetarit të LDK, edhe në kushte normale, përveç tek strukturat e LDK zgjon interes të jashtëzakonshëm edhe tek opinioni kosovar, atëherë këto zgjedhje, në këtë situatë të jashtëzakonshme pritet të rrisin vrojtimin kritik të zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së LDK edhe nga strukturat edhe nga opinioni.
Këto zgjedhje, në LDK duhet të jenë zgjedhje të organizuara mirë në të cilat ish elita politike e LDK do të duhej të ftohej e ku meritokracija do të duhej të ishte njëra nga kriteret bazë, përveç atyre edukativo-arsimore, të kandidatëve të mundshëm për kryetar të LDK. Sistemi zgjedhor parasheh që nominimet për kandidat për kryetar të LDK behën në ditën e fillimit të kuvendit zgjedhor dhe se secili pretendent duhet të siguroj 50% plus një votë të kuvendarëve për pranim të kandidaturës. Edhe pse kjo rregull mund të duket non-sens apo/edhe mund të duket si inxhiniering për zgjedhje e kryetarit, një gjë duhet qartësuar, pretendenti për kandidat duhet siguruar një numër nënshkrimesh, këtë rast numër votash për të siguruar nominimin.
Kështu që mund të pajtohemi si kriteri 50% plus të ulet ose edhe të eliminohet por një kriter minimal, për kandidat, duhet pasur. Kuvendarët kanë të drejtë të votojnë për më shumë se një kandidat. Ndërsa këtu duket se ka një keqkuptim, me a pa qëllim, duke e interpretuar gabimisht nenin për pranim të kandidaturës për kryetar duke thënë, vota për një kandidat të caktuar pamundëson votimin për kandidatin tjetër. E vërteta është ndryshe, anëtari i kuvendit të LDK ka të drejtë të votoj “pro” ose “kundër” secilën kandidaturë për kryetar. Pikë. Kjo është rregullorja. Çdo interpretim tjetër është i gabuar, mos të them dashakeq. Sigurisht, edhe pse rregullorja për zgjedhje parasheh nominimin, vetëm në kuvend, në ditën e zgjedhjes, tashmë është sekret publik, brenda strukturave, se pretendentët për këtë post i nisin lobimet në nëndegë dhe degë edhe para kuvendit, dhe nuk pengohen e mbase edhe këto lobime janë të mirëpritura deri në masën kur nuk shkaktojnë ngatërresa dhe qarje brenda strukturave.
Kjo formë e promovimit politik nëpër struktura në fakt, një lloj fraksionizmi, ndoshta, e bënë edhe më të shëndetshme garën për kryetar. I gjithë ky shpjegim, i shkurtë, ishte për zgjedhjen brenda strukturës deri në rrafshin e menaxhimit të nevojshëm të procesit deri në ditën e kuvendit. E veçanta e këtyre zgjedhjeve, përveç rrethanave të krijuara për zgjedhje të jashtëzakonshme, qëndron edhe në faktin se si figura të caktuara, me peshë, brenda LDK kanë bërë publike, në opinion, vet apo përmes të tjerëve, pretendimet e tyre për kandidat për kryetar të LDK. Kjo nuk do të duhej të ndodhte për faktin se krijon precedant zgjedhor gjë që në të ardhmen, nëse nuk ndryshon rregulli, mund të krijoj probleme të panevojshme. E, duket se dikush nga LDK, letrën e aplikimit për kryetar të LDK e paskësh pasur të gatshme e në mungesë të rezultatit zgjedhor, data ka qenë e hapur.
Në LDK ka rregulla, dhe sidomos nga ata të cilët pretendojnë të aplikojnë, pritet të respektojnë statutin e partisë dhe rregullat për zgjedhjen e kryetarit të LDK. Çdo formë tjetër e imponimit të pretendentëve për kandidat për kryetar të LDK i qet hije të keqe procesit zgjedhor. Flitet për një rikthim të mundshëm të atyre të cilët i dhanë goditjen më të madhe ndonjëherë LDK!? Kjo gjë edhe mund të ndodhë por nëse ndodhë, një gjë duhet ditur dhe duhet marrë parasysh, këta njëqind e shtatë mijë votues të betonuar të LDK, përveç tjerash, janë të indinjuar e të fyer tepër shumë me ofendimet, qëndrimet dhe deklarimet e “guximtarëve” nëpër tubimet e LVV dhe debatet televizive dhe u duhet përbirë shumë për të pranuar një rikthim të mundshëm. Por duke konsideruar politikën si “art i të së mundshmes” gjithçka mund ndodhë.
(Autori Flamur Beqiri, është në Kryesi të LDK’së në Prishtinë).