Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka thënë se Prokuroria duhet t’i hetojë të gjitha institucionet që kanë manipuluar me rezultatet e qumështit VITA.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se nëse rezultatet janë manipuluar, kjo duhet të hetohet penalisht.
“Prokuroria duhet me zbarku në Ministrinë e Bujqësisë, në AUV dhe në të gjitha institucionet që kanë manipuluar me rezultatet e qumështit VITA. Neni 414 i Kodit Penal të Kosovës sanksionon keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar për t’i shkaktuar dëm dikujt ose për t’ua shkelur të drejtat. Ndërsa, Neni 427 sanksionon falsifikimin e dokumentit zyrtar. Nëse rezultatet janë manipuluar, kjo duhet të hetohet penalisht”, ka shkruar Behrami.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) i ka dorëzuar kompanisë ABRAZEN L.L.C., Qumështorja Vita, Sinajë, Istog, raportet e analizave të qumështit dhe të jogurtit, ku vërehet qartë se produktet e qumështit uht dhe jogurti VITA nuk përmbajnë as vaj palme e as qumësht pluhur. Raporti është lëshuar nga AUV dhe lidhet me mostrën “Qumësht Vita 1L, 2L”, të marrë më 3 korrik 2026, ndërsa raporti është lëshuar më 5 gusht 2026. Sipas raportit, në mostrat e testuara nuk është detektuar sasi e qumështit pluhur.