Në Kosovë çmimet janë rritë për 7.3% në gusht 2026, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Vetëm prej korrikut në gusht, çmimet janë rritë edhe për 1.3%, transmeton Gazeta Metro.
Rritja ma e madhe ka qenë te transporti, ku çmimet janë rritë për 21.1% brenda një viti. Vetëm për një muaj, transporti është shtrenjtu për 4.6%.
Pastaj vjen strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët tjera djegëse, ku çmimet janë rritë për 11.8% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa për një muaj janë rritë për 0.8%.
Janë shtrenjtu edhe restorantet dhe akomodimi për 5.4%, pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët për 5.1%, shëndetësia për 4.2%, kujdesi personal dhe shërbimet tjera për 3.8%, ndërsa mobiljet, pajisjet shtëpiake, rekreacioni, sporti dhe kultura për 3.4%.

Veshjet dhe këpucët janë shtrenjtu për 3.0%, ushqimet dhe pijet joalkoolike për 2.6%, ndërsa informacioni dhe komunikimi për 0.6%.
E vetmja kategori ku ka pasë rënie janë shërbimet arsimore, që kanë ra për 0.5% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.
Por presioni mbi çmimet nuk është shfaqur vetëm në krahasimin vjetor. Edhe krahasimi me muajin paraprak tregon një rritje të ndjeshme. Nga korriku në gusht 2026, IHÇK-ja është rritur për 1.3 për qind.
“Në muajin gusht 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 1,3% krahasuar me muajin korrik 2026. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transporti (4,6 %), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (0,8 %), mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (0,5 %), ushqime dhe pije joalkoolike (0,4 %), shëndetësi (0,4 %), informacion dhe komunikim (0,4 %), rekreacion, sport dhe kulturë (0,4 %), restorante dhe shërbime akomodimi (0,3 %), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (0,1 %), veshje dhe këpucë (0,1 %) dhe kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (0,1 %)”.

Sipas ASK inflacioni në gusht ka shku në 7.3%, ndërsa vetëm brenda një muaji është rritë për 1.3%, me transportin, banimin dhe energjinë që kanë pasë rritjet ma të mëdha./gazetametro.net