Loading…

‘Republika e tretë’ përzë brenda muajit 66 persona, hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës

  • 03/06/2026 | 10:30

‘Republika e tretë’ përzë brenda muajit 66 persona, hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës

Brenda vetëm një muaji, dhjetëra persona kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, qindra të tjerë kanë aplikuar për ta fituar apo ri-fituar atë, ndërsa institucionet kanë lëshuar mbi një mijë lejeqëndrime për shtetas të huaj, shkruan Gazeta Metro.


Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar raportin statistikor për muajin prill 2026, ku janë paraqitur të dhëna lidhur me migracionin, azilin, shtetësinë dhe lejeqëndrimet në Kosovë.

Në raport bie në sy numri i personave që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës vetëm brenda një muaji.

Sipas të dhënave të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, gjatë muajit prill janë marrë 66 vendime pozitive për lirim nga shtetësia e Kosovës, ndërsa vetëm 2 kërkesa janë refuzuar.

Në anën tjetër, për fitimin e shtetësisë së Kosovës janë aprovuar 118 kërkesa, por 265 të tjera janë refuzuar. Raporti tregon gjithashtu se 277 persona kanë arritur ta ri-fitojnë shtetësinë, ndërsa 9 kërkesa kanë marrë përgjigje negative.

Sa i përket migracionit, gjatë muajit prill në Qendrën e Përkohshme të Pritjes për migrantë janë akomoduar 76 migrantë, ndërsa 2 persona janë ndaluar në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 18 aplikime për mbrojtje ndërkombëtare në Qendrën e Azilit.

Raporti përfshin edhe statistikat për lejeqëndrimet. Institucionet kanë lëshuar 36 lejeqëndrime të përhershme dhe 1 mijë e 69 lejeqëndrime të përkohshme gjatë muajit prill. Krahas tyre, janë regjistruar edhe 107 kërkesa për verifikim të vizave.

Sipas MPB-së, gjatë muajit prill janë ripranuar edhe 83 persona, ndërsa janë lëshuar vendime për kthim në vendin e origjinës për shtetas të huaj që nuk kanë pasur bazë ligjore për qëndrim në Kosovë.

Raporti statistikor i muajit prill 2026 është publikuar nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe përmbledh të dhënat mujore mbi menaxhimin e migracionit, shtetësisë dhe procedurave të qëndrimit në Republikën e Kosovës./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë