Ekonomia e Kosovës po përballet me një ngadalësim shqetësues, ku sipas raportit të tetorit 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), rritja vjetore parashikohet të zbresë në vetëm 3,5 për qind, transmeton Gazeta Metro.
Projeksionet e FMN-së tregojnë gjithashtu se për vitin 2027 rritja ekonomike do të mbetet në nivelin e 3,6 për qind.
Paralelisht me këtë ecuri, inflacioni parashikohet të rritet nga 3,9 për qind në 6,8 për qind gjatë këtij viti, kurse për vitin 2027 ai parashikohet në 4,5 për qind. Ndërkohë, deficiti i llogarisë rrjedhëse pritet të zgjerohet nga 8,3 për qind në 9,3 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Në krahasim me vendet e rajonit për vitin 2026, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut parashikohet të kenë një normë rritjeje prej 3,5 për qind, Serbia prej 3,3 për qind, kurse Mali i Zi prej 3 për qind.
Në aspektin e të dhënave historike të publikuara nga Banka Botërore, mesatarja vjetore e rritjes ekonomike për dekadën 2010–2019 ka qenë 4,6 për qind, ndërsa gjatë periudhës pesëvjeçare 2015–2019 mesatarja ka qenë rreth 4,9 për qind. Për periudhën 2022–2025, pas përfundimit të fazës së rimëkëmbjes paspandemike, mesatarja e rritjes ka qenë rreth 4,2 për qind.
Sipas të dhënave zyrtare, rritja ekonomike në vitet e kaluara ka qenë 10,7 për qind më 2021 (pas tkurrjes prej -5,3 për qind më 2020), 4,3 për qind më 2022, 4,1 për qind më 2023, 4,6 për qind më 2024, dhe 3,6 për qind më 2025./gazetametro.net