Loading…

‘Republika e tretë ekzaltante’ mendon për popullin, çmimet e importit rriten 1,4% në Kosovë

  • 26/08/2026 | 16:00

‘Republika e tretë ekzaltante’ mendon për popullin, çmimet e importit rriten 1,4% në Kosovë

Mallrat e importuara në Kosovë u shtrenjtuan gjatë TM2 2026, me rritjet më të mëdha te materialet e ndërtimit, produktet minerale, plastika dhe tekstili, ndërsa disa kategori shënuan ulje të çmimeve, shkruan Gazeta Metro.


Çmimet e mallrave të importuara në Kosovë u rritën gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, me rritjen më të madhe të regjistruar te produktet e lidhura me ndërtimin, mineralet, plastika dhe tekstili.

Sipas të dhënave të Indeksit të Çmimeve të Importit, indeksi i tërësishëm në TM2 2026 u rrit me 1,4% krahasuar me TM1 2026.

Rritja e çmimeve nuk ishte e njëjtë në të gjithë sektorët. Shtrenjtimin më të madh gjatë këtij tremujori e patën artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit, me 5,5%.

Pas tyre renditen plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre, me rritje prej 4,8%, ndërsa produktet minerale u shtrenjtuan me 4,7%.

Rritje të konsiderueshme pati edhe te tekstili dhe artikujt e tekstilit, me 3,6%, ndërsa shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve si dhe druri dhe artikujt e tij u shtrenjtuan me nga 1,6%. Çmimet e produkteve të industrive kimike u rritën me 1,5%.

 

Në kategoritë e tjera, çmimet e mjeteve të transportit u rritën me 0,4%, ndërsa artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani me 0,3%. Rritje prej 0,3% u regjistrua edhe te metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë, ndërsa produktet bimore u rritën me 0,2% dhe vajrat ushqyese me 0,1%. Çmimet e këpucëve nuk shënuan ndryshim në këtë periudhë.

Në anën tjetër, disa kategori patën ulje të çmimeve. Rënien më të madhe e regjistruan instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale e muzikore dhe mekanizmat e orës, me 3,7%. Letrat dhe artikujt e saj u liruan me 1,7%, ndërsa lëkura dhe artikujt e saj, pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar shënuan rënie prej 0,6%, 0,8% dhe 0,8%, respektivisht.

Megjithëse në krahasim tremujor çmimet u rritën, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet e importit në TM2 2026 ishin mesatarisht 2,6% më të larta sipas indeksit të publikuar. Kjo rritje vjetore është nxitur veçanërisht nga produktet minerale, çmimet e të cilave u rritën me 12,7%.

Pas produkteve minerale, rritjet më të mëdha vjetore u regjistruan te vajrat ushqyese me 7,7%, këpucët me 5,5%, produktet e industrive kimike me 4,1%, druri dhe artikujt e tij me 3,2%, si dhe shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve me 3,0%.

 

Çmime më të larta krahasuar me TM2 2025 pati edhe te lëkura dhe artikujt e saj me 2,6%, plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre me 2,3%, artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani me 2,3%, si dhe te artikujt e gurit, llaçit, qeramikës dhe qelqit me 1,2%.

Ndërkohë, disa grupe shënuan rënie vjetore. Produktet bimore u liruan me 5,7%, instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale e muzikore dhe mekanizmat e orës me 3,8%, ndërsa metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë me 1,3%. Rënie pati edhe te letrat dhe artikujt e saj me 1,1%, ndërsa tekstili dhe artikujt e tekstilit u liruan me 0,2%./gazetametro/.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë