Artistja meksikane e cirkut, Diana Elizabeth Batres Hermosillo, hyri në histori duke vendosur një rekord të ri në Librin Guinness për ngritjen më të rëndë me flokë në kategorinë e femrave.
Ngjarja u zhvillua në teatrin Teatro Le Paz, ku ajo arriti të ngrejë plot 75 kilogramë duke përdorur vetëm flokët e saj të gërshetuara. Pesha qëndroi e ngritur nga toka për 14 sekonda, duke impresionuar publikun dhe gjyqtarët e rekordit.
Performuesja, e cila ka më shumë se dy dekada eksperiencë në botën e cirkut, tregoi se përgatitjet për këtë sfidë zgjatën rreth gjashtë muaj. Ajo iu nënshtrua ushtrimeve intensive për të përballuar ngarkesën e madhe në kokë, qafë dhe shtyllën kurrizore.
Me këtë arritje, Hermosillo tejkaloi rekordin e mëparshëm të mbajtur nga sportistja indiane Asha Rani, e cila në vitin 2014 kishte ngritur 55 kilogramë me flokët e saj.