Loading…

Reciprociteti në letërnjoftime do të ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi

  • 01/07/2022 | 13:11

Reciprociteti në letërnjoftime do të ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të lëshuar dokumente të përkohshme identifikimi në kufi për shtetasit e Serbisë, mund të ndikojë në dinamikën e dialogut Kosovë-Serbi.


Monitoruesit e këtij procesi e kanë vlerësuar si të drejtë ndërmarrjen e këtij veprimi, duke shtuar se vendimi pritet të ndikojë në mirëbesim në mes të palëve.

Njohësi i rrethanave politike në vend, Ardian Arifaj, ka thënë për gazetën Nacionale se koha kur është marrë ky vendim mund ta vendosë në pozitë të palakmueshme ndërmjetësuesin.

“Qeveria Kurti ka pasur reciprocitetin një nga premtimet më të përmendura gjatë fushatës, kështu që çfarëdo mase e reciprocitetit me Serbinë ka qenë e pritur. Është i papritur momenti kur ndodh kjo, menjëherë pas një vizite të Përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak, e që u pa si vizitë pozitive për të gjitha palët dhe për vetë procesin e dialogut”, ka thënë ai për gazetën Nacionale.

Sipas tij, këtë veprim të Qeverisë tani Serbia do ta përdorë si argument kundër Kosovës.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës, menjëherë pas largimit të Lajçak nga Kosova, e vë në pozitë të vështirë vetë diplomatin Lajçak, i cili pas Kosovës po e viziton Serbinë, e ku sigurisht do t’ia përmendin këtë vendim të Qeverisë së Kosovës. Madje, Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha edhe se këtë vendim të Qeverisë së Kosovës e kanë përkrahur disa vende, pa përmendur ndonjë emër. Në të vërtetë, Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë për përkrahje për këtë vendim”, është shprehur Arifaj.

Ai ka bërë me dije se emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, nuk e ka pritur mirë vendimin e Qeverisë.

“Duket si ndërmjetës që nuk po mund të ndërtojë mirëbesim mes palëve – vetë Qeveria e Kosovës mund të duket mirë në sytë e votuesve dhe përkrahësve të saj. A mund të ndikojë në dialog – patjetër që po. Disa hapa përpara të bërë në ditët e fundit, siç ishte dakordimi për udhërrëfyesin për marrëveshjen për energjinë si dhe ajo që dëgjuam si mundësi për një përparim në çështjen e të pagjeturve, ishin hapa që ndërtojnë njëfarë mirëbesimi në mes palëve në dialog. Hapat e tillë, siç është vendimi i i qeverisë, e prekin këtë mirëbesim mes palëve dhe në vetë procesin e dialogut dhe gjasat për një marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë”, ka deklaruar ai.

Më tej, Arifaj ka treguar se ndërkombëtaret po flasin për një momentum të ri të procesit.

“Palët ndërkombëtare kanë filluar të flasin për një momentum të ri dhe gjasat për të filluar dialogun për marrëveshjen finale mes Kosovës e Serbisë. Në të njëjtën kohë, Kosova dhe Serbia po pozicionohen sa më ashpër para një procesi të mundshëm për marrëveshjen finale, Kosova me këto masa reciprociteti e Serbia me propagandën se Kosova po përgatit një ndërhyrje me forcat e sigurisë në pjesën veriore në muajin tetor”, është shprehur ai.

Kurse Violeta Haxholli nga KDI-ja, e cila me vite ka monitoruar procesin e dialogut, ka thënë se vendim i Kosovës është i bazuar në marrëveshjen e Brukselit.

“Vendimi institucioneve të Kosovës për të lëshuar dokumente të përkohshme identifikimi në kufi për shtetasit e Serbisë është në përputhje të plotë me Marrëveshjen e Dialogut mes dy vendeve për “Lirinë e Lëvizjes” e arritur më 2 korrik 2011. Tash e 12 vite prej kur është arritur Marrëveshja, Kosova nuk e ka aplikuar këtë praktikë edhe pse Marrëveshja ia ka lejuar, ndërsa Serbia e ka aplikuar vazhdimisht nga fillimi”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.

Sipas saj, vendimi i Qeverisë mund të ndikojë që Serbia t’i largojë disa praktika të panevojshme.

“Edhe pse pra përgjatë 12 viteve Kosova nuk iu ka vendosur asnjë barrierë qytetarëve të Serbisë gjatë kalimit kufitar, Serbia nuk i ka larguar barrierat. Vendosja e reciprocitetit nga ana e Kosovës mund të jetë mjeti i duhur për të detyruar Serbinë që të largojë këtë praktikë të panevojshme, në mënyrë që qytetarët e të dyja vendeve të lëvizin lirshëm me letërnjoftimet e tyre pa pengesa dhe pa vonesa”, ka vlerësuar ajo.

Lajçak thotë se vendimi solli një situatë të re

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitetet me Serbinë për letërnjoftime.

Gjatë vizitës në Beograd, ai ka thënë se në marrëdhëniet Kosovë-Serbi është krijuar një situatë e re që i ka ndryshuar planet dhe temat e vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi.

Ai ka deklaruar se do të angazhohet maksimalisht për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Nuk guxojmë të lejojmë që të ndodhë ndonjë krizë”, ka thënë ai.

Reagimi i presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ndaj vendimit të qeverisë ishte i ashpër.

“Nuk ka asgjë nga kjo, lëre atë dialog, të gjitha janë histori të zbrazëta. Çfarë dialogu, pas vendimeve të tilla, pse dialog, për Bashkimin e Komunave Serbe, dhe nuk guxojnë të vendosin flamur. Për çfarë?”, ka deklaruar Vuçiq.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, çdo person që paraqitet për kalimin në kufirin shtetëror me letërnjoftim të Serbisë, do t’i zëvendësohet me një fletë-deklarim.

“Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore”, është thënë në komunikatën për media të Qeverisë.

Ndërkaq përmes një vendimi tjetër, Qeveria ka mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022. Regjistrimi do të fillojë më 1 gusht 2022 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2022. Ky vendim ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë.

Gjithashtu, ekzekutivi ka vendosur që automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të vazhdojnë të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë