Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka mirëpritur ndërprerjen e grevës nga mësimdhënësit, votat e të cilëve u publikuan mbrëmë nga SBAShK, shkruan Gazeta Metro.
Ministrja u bëri thirrje të gjitha shkollave që ende s’u kanë shpërndarë libra nxënësve, që ta bëjnë një gjë të tillë të hënën, ndërsa po ashtu kërkoi nga Drejtoritë Komunale të Arsimit të marrin të gjitha masat që të hënën gjithçka të jetë gati për të filluar mësimin në shkolla e punën në çerdhe.
Një pikë që ia vlen të përmendet nga postimi i gjatë i ministres, ku si zakonisht s’thotë gjë, është zotimi i saj që të ndryshohet kalendari i Vitit Shkollor.
“Kalendari i Vitit Shkollor duhet të ndryshohet, andaj menjëherë të hënën, dt.3 tetor, do të formojmë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ”, shprehet Nagavci në Facebook.
Se sa do të jetë e mundur ndryshimi i kalendarit, mbetet të shihet. Sindikalistët ishin të prerë se asnjë orë e humbur si pasojë e grevës nuk do të kompensohet, e aq më pak tash kur kjo ndërprerje sipas tyre është veç një pezullim.
Gjithashtu, ministrja e cilëson grevën një mujore si humbje të madhe: “Një muaj i humbur i mësimit është një dëm i madh, andaj dhe puna e angazhimi i të gjithë neve për të përmirësuar këto humbje, duhet të jetë edhe më i madh.”
Ndryshe, SBAShK përmes një konference të jashtëzakonshme njoftoi sot për pezullim të grevës deri në janar të vitit të ardhshëm. Ky pezullim vjen pasi mbi 54% e anëtarësisë së kësaj sindikate votoi për fillim të mësimit, të cilin e propozoi kryesia e SBAShK gjatë kësaj jave./gazetametro.net