Instituti i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar gabimisht ditën e mërkurë se një person 31 vjeçar nga Mamusha ka ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit, duke e ngatërruar me një grua 72 vjeçare. Ndërsa sot, është përmirësuar komunikata e publikuar, shkruan Gazeta Metro.
IKSHPK gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se kanë vdekur edhe 11 persona nga koronavirusi, e në njoftimin e zakonshëm, thuhej se në mesin e viktimave ishte edhe një 31 vjeçar.
Pas këtij njoftimi, mbrëmë reagoi Komuna e Mamushës, nga e cila u tha se personi që ka vdekur është një grua e moshës 72 vjeçare, raporton Gazeta Metro.
Ndërkaq sot vërehet se IKSHPK e ka përmirësuar gabimin, duke e ndërruar moshën e viktimës në njoftimin e publikuar në Facebook.
IKSHPK nuk ka dhënë ndonjë sqarim apo detaj shtesë, rreth këtij njoftimi.
Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.816 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 807 raste positive, raporton Gazeta Metro.
Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 349 raste, Podujevë 56 raste, Ferizaj 55 raste, Prizren 53 raste, Fushë-Kosovë 44 raste, Gjakovë 40 raste, Gjilan 29 raste, Lipjan 28 raste, Mitrovicë 18 raste, Obiliq 18 raste, Pejë 14 raste, Shtime 12 raste, Kamenicë 11 raste, Suharekë 10 raste, Viti 10 raste, Vushtrri 10 raste, Kaçanik 8 raste, Malishevë 8 raste, Drenas 7 raste, Deçan 5 raste, Rahovec 5 raste, Skenderaj 5 raste, Dragash 2 raste, Graçanicë 2 raste, Istog 2 raste, Klinë 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Kllokot, Novobërdë, Shtërpcë dhe Zubin-Potok.
Brenda 24 orëve janë raportuar 14 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 3 raste (87, 78, 56 vjeç), Fushë-Kosovë 2 raste (69, 51 vjeç), Prishtinë 2 raste (77, 73 vjeç), Gjilan 1 rast (77 vjeç), Kamenicë 1 rast (87 vjeç), Mitrovicë 1 rast (73 vjeç), Podujevë 1 rast (85 vjeç), Rahovec 1 rast (70 vjeç), Shtime 1 rast (61 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (71 vjeç).
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 677 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 19.024 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.124./gazetametro.net