Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgimin e pesë personave të dyshuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, transmeton Gazeta Metro.
Në vend të paraburgimit, gjykata ka vendosur masa të tjera sigurie ndaj G.Z., A.G., L.M., D.G. dhe E.A. Ata nuk lejohen t’i afrohen objektit të Komunës së Fushë Kosovës në një rreze prej 200 metrash.
“Obligohen pesë të pandehurit që në largësinë prej 200 (dyqind) metra, të mos i ofrohen vendit, respektivisht Komunës së Fushë Kosovës. Mosrespektimi i kësaj mase nga ana e të pandehurve, do të zëvendësohet me masën e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Kjo masë është caktuar për një muaj, nga 8 shtatori deri më 8 tetor 2026. Po ashtu, pesë të dyshuarit janë obliguar të paraqiten në stacionin policor gjatë kësaj periudhe.
Sipas gjykatës, masat e përcaktuara janë të mjaftueshme për të garantuar zhvillimin normal të procedurës penale. Në rast të shkeljes së këtyre masave, ato mund të zëvendësohen me paraburgim.
Vendimi është marrë pas dëgjimit të palëve dhe shqyrtimit të materialeve të lëndës. Palët e pakënaqura kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./gazetametro.net