Loading…

Rashica nuk po luan titullar te Galatasaray, gazetari turk tregon disa nga arsyet: Transferimi i tij ishte surprizë

  • Nga

  • ELION NUZA

  • 02/10/2022 | 20:31

Rashica nuk po luan titullar te Galatasaray, gazetari turk tregon disa nga arsyet: Transferimi i tij ishte surprizë

Milot Rashica u huazua këtë afat kalimtar të verës nga Norwich City te Galatasaray. Ai nuk po kalonte momente të mira në skuadrën angleze dhe kjo e fundit vendosi ta dërgojë në huazim anësorin kosovar. Megjithatë, edhe pas huazimit te gjiganti turk nuk e ka filluar ende asnjë ndeshje nga minuta e parë. Në një prononcim për Gazeta Metro për atë çfarë pritet të tregojë në fushë Rashica, si u prit në Turqi transferimi i tij, foli gazetari sportiv i televizionit të njohur turk TRT Spor, Evren Goz.


‘Mund të them se ishte një transferim surprizë’ e cilëson fillimisht Goz kalimin e Rashicës në Turqi. Arsyeja pse thotë kështu është se sipas tij ai pa shumë zhurmë u prezantua me fanellën e Galatasaray.

Në të njëjtën ditë me të te 22 herë kampionët e Turqisë u prezantuan edhe katër futbollistë të tjerë Mauro Icardi, Juan Mata, Mathias Ross dhe Yusuf Demir.

”Mund të them se ishte një transferim surprizë. Padyshim që në fillim ishte befasuese që ai u transferua pa u përmendur shumë në shtyp. Pritshmëritë prej tij në Turqi, një paraqitje e mirë për Galatasaray duke pasqyruar cilësinë aktuale që ka në fushë dhe të jap kontribute në rezultate pozitive,” tha ai për Gazeta Metro.

Nëse nuk jeni në dijeni, Federata e Futbollit të Turqisë ka një rregull specifik për lojtarët e huaj që luajnë atje. Në formacionin startues nuk lejohet të luajnë më shumë se tetë lojtarë që nuk janë nga Turqia.

Kjo mund të jetë edhe një nga arsyet kryesore që Rashica nuk po luan si titullar, sipas Evren Goz.

”Skuadra e Galatasarayt është shumë e madhe dhe mund të jetë e vështirë të gjesh një vend në skuadër, fillimisht për shkak të rregullave për lojtarët e huaj në Turqi. Megjithatë, mendoj se ai do të bëjë diferencën kur të dalë në fushë duke punuar shumë dhe duke reflektuar me performancat e tij stërvitore në ndeshje,” tha ai.

Ish-sulmuesi i PSG’së dhe Inter, Mauro Icardi dhe ish-anësori i Napolit, Dries Mertens janë dy nga bashkëlojtarët e 26-vjeçarit kosovar.

Normalisht, argjentinasi dhe belgu kanë më shumë vëmendje te tifozët, por për të ‘fituar’ zemrat e tyre siç thotë gazetari sportiv duhet të tregohet paraqitje e mirë në fushë.

”Icardi dhe Merten janë yje shumë të mëdhenj dhe pritshmëritë prej tyre janë natyrisht të larta. Është avantazh për Rashicën që të qëndrojë në prapavijë në këtë kuptim. Më shumë vëmendje do të tërheqin kontributet që do të japin ata në fushë. Rashica është një lojtar shumë i talentuar dhe mendoj se do t’i shtojë shumë forcë Galatasarayt,” tha ai për Gazeta Metro.

Konkurrencën e lartë në skuadër dhe mos pjesëmarrjen në garat europiane të skuadrës së udhëhequr nga Okan Buruk, Goz e sheh faktor tjetër përse Rashica nuk luajti në tre ndeshje si titullar.

”Skuadra po ristrukturohet. Duke qenë se këtë sezon nuk do të luajë në garat europiane dhe luan vetëm në ndeshjet e ligës dhe kupës është shumë e natyrshme që në fillim të marrë shumë pak minuta pasi klubi ka shumë lojtarë dhe konkurrenca është shumë e madhe. Por, nëse ndryshon në të ardhmen rregulli për lojtarët e huaj, mendoj se Rashica do të ketë një vend në formacion,” përfundoi ai.

Gazeta Metro pak ditë më parë kishte marrë në prononcim edhe gazetarin anglez të mediumit të njohur ‘The Athletic’, Michael Bailey. Ai tregoi disa nga arsyet pse u huazua Rashica te Galatasaray dhe nuk arriti të tregoi kualitetin e tij për dy vite në Angli. /gazetametro.net

‘Prisnim t’i rrezikonte edhe ekipet e mëdha’: Gazetari anglez flet për periudhën e Rashicës te Norwich City

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë