Kryeministri shqiptar Edi Rama e ka konfirmuar sot në Trieste të Italisë në kuadër të takimit të kryeministrave të Ballkanit Perndimor, se do të mbështesë fuqishëm, krijimin e një zone të lirë ekonomike rajonale, e cila sipas tij, do të lehtësojë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, shkruan Gazeta Metro.
“Vetëm rritja ekonomike mund të jetë afatgjatë për të stabilizuar rajonin dhe për të kontribuar për lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian”, ka thënë Rama.
Rama praktikisht në këtë rast ka mbështetur në këtë mënyrë nismën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, i cili ka idenë e krijimit të një mjedisi biznesi pa kufij në rajon, ide të cilën e propozoi në Forumin e Biznesit në Sarajevë në mes të majit të këtij viti, kur ai ishte edne kryeministër i Serbisë.
Vucic konsideron se rajoni, si një treg i unifikuar mund të tërheqë më shumë investitorë.
Në anën tjetër, Kosova nuk e ka parë si ide të mirë këtë projekt të Vucic’it, pasi vlerësohet se ai i konvenon vetëm Serbisë, shkaku i përparësisë së bizneseve të fuqishme serbe, të cilat do të fuqizoheshin edhe më shumë, duke operuar pa taksa në një treg rajonal prej 20 milionë banorësh.
Kryeministri Isa Mustafa, këtë ide të Vucic’it e ka kundërshtuar duke e cilësuar si rikthim të Jugosllavisë, plus Shqipëria. Gjithashtu, në këtë projekt nuk përfshihet Sllovenia dhe Kroacia, pasi këto dy vende të ish Jugosllavisë, janë anëtare të një tregu tjetër, atij të Bashkimit Evropian. /gazetametro.net