Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shpalosur ‘Projektin e Fizibilitetit për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës’.
Në një postim në Facebook, Rama ka publikuar pamjet se si pritet të duket ky spital, në të cilin siç ka thënë, do të ofrohen shërbime gjithëpërfshirëse spitalore të përzgjedhura.
“Kryeqyteti ka nevojë të ketë spitalin e vet, në të cilin do të ofrohen shërbime gjithëpërfshirëse spitalore të përzgjedhura për të akomoduar nevojat e qytetarëve në raport me shqetësimet dhe sfidat shëndetësore në të cilat hasin”, shkroi Rama.
“U mblodhëm në tryezë bashkë me Drejtorin e Shëndetësisë, Dr. Izet Sadiku, Ministrin e Shëndetësisë, Prof. Rifat Latifi, Shkëlqesinë e Saj, Ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, znj. Nabila AlShamsi, Koordinatorin e TIKA-s Turke në Kosovë, z. Cihan Dinçer dhe miq e partnerë të tjerë për të shpalosur ‘Projektin e Fizibilitetit për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës’, të realizuar nga Kompania ICME”, ka shkruar i pari i Prishtinës.