Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është përgjigjur senatorit amerikan Bernie Sanders që tha se “populli shqiptar është përballë oligarkisë globale” duke i treguar se Shqipëria nuk do të shndërrohet në “dekor për teatrin politik të dikujt tjetër”, përcjell gazeta Metro.
Rama kundërshtoi pretendimin e Sanders se 100 mijë persona kanë protestuar kundër projektit, duke theksuar se numri i protestuesve ka qenë shumë më i vogël.
“Fakti që më pak se 10 mijë protestues janë shndërruar disi në 100 mijë në postimin tuaj është ndoshta amplifikimi më pak i dëmshëm i zemërimit publik”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se aktualisht nuk ekziston asnjë projekt i miratuar apo leje ndërtimi për zhvillimin në fjalë.
“Ende nuk ka një projekt të miratuar, nuk ka leje ndërtimi dhe nuk ka një projekt përfundimtar. Ajo që ekziston sot është një proces planifikimi që përfshin disa nga arkitektët, projektuesit e peizazhit, ekspertët mjedisorë dhe konsulentët e ndikimit social më të njohur në botë”, u shpreh ai.
Rama shtoi se debati publik dhe shqyrtimi mjedisor janë të mirëpritura, por sipas tij është e gabuar të flitet për një katastrofë mjedisore para se projekti të ekzistojë.
“Mospajtimi është legjitim. Kontrolli dhe shqyrtimi mjedisor janë të mirëpritura. Kështu duhet të funksionojnë demokracitë. Por të shpallësh diçka si katastrofë mjedisore para se ajo të ekzistojë, është diçka krejt tjetër”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi se vendimet për zhvillimet në bregdetin shqiptar do të merren nga institucionet shqiptare dhe në përputhje me ligjet e vendit.
“Ajo që do të ngrihet në bregdetin e Shqipërisë do të përcaktohet nga vizioni ynë, ligjet tona, institucionet tona dhe do të debatohet nga vetë qytetarët tanë”, tha Rama.
Në fund të reagimit, kryeministri i drejtoi edhe një ftesë senatorit amerikan për të vizituar Shqipërinë.
“Shpresoj që të vini dhe ta shihni vetë vendin tonë të bukur, i cili po përballet me sfidën historike për t’u bërë së shpejti një anëtar krenar i Bashkimit Europian”, përfundoi ai./gazetametro.net