Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tw martwn ka vizituar qumështoren “VITA”, ku u prit nga pronari Blerim Devolli.
Rafuna vlerësoi punën dhe zhvillimin e qumështores “VITA”, duke theksuar se investimet e vazhdueshme në teknologji, rritja e kapaciteteve dhe forcimi i bashkëpunimit me fermerët janë shembull i rëndësishëm i zhvillimit të prodhimit vendor.
“Investimet në makineri dhe teknologji, së bashku me lidhjen e qëndrueshme me fermerët, janë bazë për një industri më konkurruese. ‘VITA’ është një shembull i mirë se si investimi, puna dhe përkushtimi mund të ndërtojnë një produkt konkurrues jo vetëm në Kosovë, por edhe në tregjet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian”, tha Rafuna.
Ai vlerësoi veçanërisht rritjen e numrit të fermerëve me të cilët bashkëpunon kompania, cilësinë e produkteve dhe përkushtimin për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.
“Rafuna theksoi se zhvillimi i kompanive të tilla është i rëndësishëm për të gjithë zinxhirin e industrisë së qumështit, pasi përfitimet shtrihen nga fermerët dhe prodhuesit deri te konsumatori.
Ai bëri thirrje që institucionet të vazhdojnë të mbështesin prodhuesit vendorë, në mënyrë që investimet të rriten më tej, të forcohen kapacitetet prodhuese dhe produktet “Made in Kosova” të kenë prezencë edhe më të madhe në tregjet ndërkombëtare.