Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar rrezik të madh për humbjen e mjeteve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si pasojë e mungesës së institucioneve funksionale për shkak të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme dhe vonesave në realizimin e reformave.
Rafuna në një intervistë për Ekonomia Online, tha se ndonëse Kosova ka përfituar 63 milionë euro si parafinancim nga pakoja prej rreth 880 milionë eurosh, pjesa tjetër e fondeve mbetet e kushtëzuar me përmbushjen e reformave.
“Po ne kemi qenë të paralajmëruar që kemi vonesa. Kosova shteti i vetëm që më së voni e ka ratifikuar marrëveshjen për Planin e Rritjes, me Bashkimin Evropian. Ato janë të parapara rreth 880 milionë. Me rastin e ratifikimit të marrëveshjes Kosova e gëzon të drejtën tani edhe veç është bërë disbursimi i 63 milionëve si parafinancim. Mirëpo shuma tjetër e mjeteve nuk mund të merret pa u bërë reforma. Dhe mungesa e institucioneve, shkuarja në zgjedhje, duke mos e pasë Kuvendin e Republikës së Kosovës, pa dyshim që ne nuk mund të ecim në hap, nuk mund të bëjmë progres dhe nuk mund ta dëshmojmë që kemi bërë progres për me i marrë mjetet e tjera dhe me i sjellë në vendin tonë. Kështu që, po, shkuarja në zgjedhje, mospasja e institucioneve fuqiplota të Republikës së Kosovës, për shkak Kuvendin s’e kemi, Qeveria është në detyrë, kështu që ekziston rreziku shumë i madh që të humbim një pjesë goxha të madhe të mjeteve”, tha ai.
Kreu i OEK-së shtoi se situata aktuale politike e bën pothuajse të pamundur miratimin e projekteve dhe programeve të nevojshme për përfitimin e fondeve të tjera.
“Po tani është shumë vonë. Tani të gjitha partitë politike nuk janë pjesë e Kuvendit që me pasë mundësinë me i aprovu si të them plan, programet ose projektet e ndryshme që vijnë nga Plani i Rritjes. Tani të gjithë janë të përqendruar në fushatë, po të shpresojmë që thirrja jonë për partitë politike natyrisht është që të përfundojë sa më shpejt fushata brenda afateve kushtetuese siç është e pamë dhe sa më shpejt që është e mundur të themelohen institucionet e Republikës së Kosovës në mënyrë që të vazhdojnë me reformat dhe të vazhdojnë t’i marrin mjetet nga Plani i Rritjes. Shpresoj shumë që për shkak të situatës që i kemi me zgjedhje Bashkimi Evropian nuk do ta ndalë ose nuk do ta ndërpresë financimin e mjeteve të Planit të Rritjes, por ne nuk duhet ta neglizhojmë. Ne duhet të punojmë shumë dhe duhet të jemi në kontakt me zyrtarët e Bashkimit Evropian për të parë se aq sa ka mundësi, brenda kapaciteteve që i kanë sot institucionet tona, të bëjnë reforma dhe të shohin t’i thithin mjetet që mund të thithen nga Plani i Rritjes”, tha ai.