Loading…

Qytetarët s’po i besojnë shëndetësisë kosovare

  • 03/01/2017 | 17:32

Qytetarët s’po i besojnë shëndetësisë kosovare

Sfidat e shumta me të cilat është përballur sistemi shëndetësor gjatë viteve, ka bërë që qytetarët e Kosovës ta humbin besimin në të.


Mungesa e barnave, shërbimet jo cilësore, vlerësimet për, siç thuhet, skandalet e ndryshme në sistemin shëndetësor, e deri tek aktakuzat e ngritura për më shumë se 60 punonjës shëndetësorë, kanë bërë që qytetarë të anketuar të thonë se janë të zhgënjyer me sistemin e shëndetësisë në Kosovë.

Pak qytetarë mendojnë se vullneti i mjekëve nuk mungon, por kushtet në përgjithësi, nuk janë të lakmueshme.

Ragip Berisha, 59 vjeçar, jep mendimin e tij lidhur me këtë çështje

“Aq i besoj, sa që jam operuar në Shkup”, tha ai.

Ramadan Pireva, është pensionist. Ai thotë të jetë i zhgënjyer me sistemin e shëndetësisë, veçmas me ofrimin e shërbimeve shëndetësore, sidomos për pensionistët.

“Unë kam punuar në institucion publik tërë jetën. Pas pensionimit, kam shkuar të sigurohem në kompani private të sigurimeve dhe nuk më kanë pranuar. Andaj mendoj se realiteti në Kosovë është ky, unë dhe gjithë pensionistët e Kosovës jemi të zhgënjyer nga shteti. Sidomos kur bëhet fjalë për sistemin shëndetësor”, ka thënë Pireva.

Ilmi Krasniqi, në anën tjetër, thotë se ndonëse ka mjekë të mirë profesionalisht, interesin financiar e kanë para së gjithash.

“Me besu, i besoj. Mendoj se doktorët tanë janë të aftë. Por, sa e praktikojnë jam shumë i dyshimtë. Kjo për arsye se dëshirojnë që të gjithë pacientët t’i dërgojnë në institucione private shëndetësore”, tha Krasniqi.

Besa Krasniqi, ekonomiste me profesion, thotë se mungesa e barnave, papastërtia dhe mungesa e vullnetit të mjekëve janë ato që e karakterizojnë sistemin shëndetësor.

“Mendoj se s’ka asgjë, s’ka pastërti, s’ka ilaçe, s’ka vullnet se po punojnë privat”, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Luljeta Maloku, juriste me profesion, është mjaft skeptike për sistemin shëndetësor.

“Mendoj se ka mangësi të mëdha. Si mungesa e barnave, më pas koordinimi mes klinikave mungon. Një të sëmurë nga një klinikë në tjetrën duhet ta dërgosh, varësisht prej referencës së mjekut, dhe mendoj se është e mundimshme”, u shpreh Maloku.

Derisa, Mentor Hajdari, student Fakultetit të Matematikës, thotë se në institucionet publike shëndetësore ka ende shumë punë për të arritur deri tek ofrimi i shërbimeve shëndetësore kualitative.

“Mendoj se në institucione private shëndetësore është tretmani më i mirë. Për sektorin publik, mendoj se ende ka shumë punë për t’u bërë”, tha Hajdari.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë