Nga lansimi i 30 autobusëve të rinj komuna e Prishtinës është bërë pak më serioze sa i përket operimit të taksistëve ilegalë në qytet.
Në njoftim të kësaj komune, thuhet se tashmë me Drejtorinë e Inspeksionit janë vazhdimisht në terren duke krijuar kushte për punë të mëtutjeshme të Trafikut Urban. Kështu komuna njofton se do të ndërmarrë masa ndaj çdo operatori ilegal që e hasin, si dhe ndaj qytetarëve që shfrytëzojnë operatorët e tillë.
Kështu komuna thotë se tashmë është ngritur kualiteti i shërbimeve dhe Trafiku Urban është funksional më shumë se kurrë dhe u bënë thirrje qytetarëve që të heqin dorë nga taksitë ilegale.
“Në linjat 4 dhe 1 janë sistemuar 30 autobusët e rinj, dhe sapo të vinë edhe 21 të tjerë do të mbulohet edhe linja 3. Tashmë, kualiteti i shërbimeve është rritur, me ç’rast transporti publik po bëhet tërheqës për qytetarët. Duke iu falënderuar të gjithë qytetarëve për ndihmën që kanë dhënë dhe po japin për zhvillime të tilla pozitive në Prishtinë, iu bëjmë thirrje që të heqin dorë nga transporti ilegal, ashtu që ta fuqizojmë edhe më shumë, edhe më shpejtë, ndërmarrjen tonë publike”, thuhet në njoftimin e komunës. /gazetametro.net