Loading…

Qumështarët e Kosovës mohojnë se produktet kanë yndyrë bimore

  • 28/01/2017 | 17:33

Qumështarët e Kosovës mohojnë se produktet kanë yndyrë bimore

Shoqata e Qumështorëve të Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve të Qumështit, si dhe disa kompani vendore kanë mohuar lajmin se produktet që bëhen nga qumështi kanë yndyra bimore.

Ata në një konferencë për media kanë kritikuar Ramadan Memajn, i cili ditë më parë njoftoi se kanë ngritur kallëzim penal ndaj Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe disa kompanive vendore, për të cilët thuhet se ekziston dyshimi se kanë kryer vepër penale ‘mashtrim i blerësve”.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës, Gani Durmishaj tha se nëse ka shqetësim tek opinioni publik për cilësi të qumështit, ajo vjen nga deklaratat e rrejshme të Memës.

“Me atë deklaratë e ka shantazhuar opinionin me disa të dhëna të padrejta, të cilat ai thirret në ato se i ka marrë disa mostra. Nëse ka ndonjë shqetësim prej opinionit për produkt vendor, dihet kush është i thirrur për të marrë mostra, të bëjë analiza, dhe ai është Agjencioni Veterinar i Kosovës, që sipas nesh është njëri ndër institucionet më të pajisura me pajisje më bashkëkohore që ekzistojnë”, tha Drumishaj, raporton KP.

Kurse, kryetari i Prodhuesve të Qumështit, Naser Bajraktari tha se institucionet e vendit janë të obliguara t’i mbrojnë të arriturat e sektorit vital.

“Deklaratat e njëanshme të këtij lloji i bëjnë dëm të pariparueshme në përgjithësi. Askush nuk ka të drejtë të bëj deklarata të njëanshme dhe të thirre në emër të një grupi apo sektorit që nuk e përfaqëson. Për këtë qëllim mendoj se institucionet tona relevante e kanë për obligim t’i mbrojnë të arriturat e sektorit vital, të vendit tonë nga qëllimtëqinjët. Ne si shoqatë e prodhuesve të qumështit, kemi ndëshkuar dhe vazhdojmë të ndëshkojmë të gjithë keqpërdoruesit që shihen në çdo kohë pas punës së madhe dhe të mundimshme të prodhuesve vendorë, ne kemi bërë edhe në të kaluarën dhe do të bëjmë bashkërisht si shoqatë”, tha Bajraktari.

Kurse, Ymer Berisha nga kompania “Bylmeti”, tha se Memaj i ka sulmuar produktet vendore, të cilat janë cilësore sepse kompanitë edhe i eksportojnë ato jashtë vendit.

“Për fat të keq nga një person që nuk na përfaqëson neve kemi pa që përmes medieve po mundohet me na shantazhu, me dezinformu opinionin e Kosovës, që qumështoret e Kosovës po e përdor yndyrën bimore dhe po shkaktojnë dëme në këtë industri. Sa i përket analizave që janë të përfolura nëpër media, aty shifet qartë që sulmohen artikujt që ne si qumështore eksportojmë jashtë vendit. Faktikisht, në këtë kohë kur janë shumë aktuale që të mos konsumohen produktet e Serbisë, ky person çohet edhe na sulmon neve si prodhues vendor që të mos konsumohen këto produkte të dyshimta. Ndërsa, ne këto i eksportojmë në vendet evropiane”, tha Berisha.

Përfaqësuesi nga qumështorja Magic Ice, Lulzim Aliu tha se deklarata e ish-kryetarit Memaj, po i rrezikon edhe shitjet e qumështit në fabrikë.

Ai kërkon nga Memaj të deklarohet për raportin financiar përgjatë periudhës 9 vite sa ka qenë kryetar.

“Si Ramadan Memaj, që ka qenë ish-kryetar, ai është post që e ka humb me punën e tij, 9 vite ka qenë kryetar dhe nuk i ka dhe një raport financiar, ku i ka qu paret, me kon i ka shpenzuar, sa i ka tërhjekur, sa fonde ka tërhjekur. Duhet me u marr prokuroria me të se ku i ka qu mjetet tona, që janë dedikuar për intereson tonë. Personi i ka marr mostrat në shitoret të Kosovës, shtrohet pyetja si i ka marrë mostra dhe kush i ka paguar ato mostra… Si fabrikë që jena dikund 100 punëtorë, na i ka rrezikuar shitjet se opinioni është keqinformuar, tek ne i dorëzojnë 250 fermer. Dhe nëse vazhdojnë matrapazët si ky, atëherë ne duhet me i mbyll fabrikën dhe fermat”, tha Aliu.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë