Loading…

Qosja përsërit propozimin për shkëmbim territoresh me Serbinë

  • 22/01/2017 | 11:46

Qosja përsërit propozimin për shkëmbim territoresh me Serbinë

Akademiku Rexhep Qosja, pak ditë më parë ka folur për ndarje të Kosovës, sakësisht ai ka propozuar që të shkëmbehet Veriu me Luginën e Preshevës. Ishte kjo deklaratë që nxiti shumë debat, kurse Qosja ka vendosur që të qartësohet për kritikët e propozimit të tij. Ka thënë se shkëmbimi i territoreve me Serbinë është ide për të mos lejuar shtete të vogla të Serbisë brenda Kosovës.


Rexhep Qosja fillimit u kujtoi se ky propozim i tij është botuar edhe para plot tri dekadash, dhe tutje shpejgon dëshirën e tij që ta shpëton Kosovën prej Bashkësisë së Komunave Serbe.

“Kam këtë përgjigje për ju që po e kritikoni aq emocionalisht propozimin tim të botuar disa herë, edhe para 30 vjetësh, për shkëmbimin e Mitrovicës Veriore të banuar me serbë me Luginën e Preshevës – me Preshevën, Bujanocin, Medvegjën e fshatrat përreth të banuara me shqiptarë”, ka shkruar Qosja në rrjetin e tij social Facebook, transmeton gazetametro.net.

“Me dallim prej meje që do të doja ta shpëtoja Kosovën prej shtetit të quajtur Bashkësi e Komunave Serbe, domethënë prej shteteve të vogla serbe nëpër Kosovë, dhe t’i jepet Serbisë një pjesë e vogël e Kosovës Veriore e banuar me serbë dhe e sunduar edhe tani prej Serbisë, të cilëve do të mund t’u bashkoheshin edhe serbët e viseve të tjera të Kosovës, e t’i jepeshin Kosovës Presheva, Bujanoci e Medvegja me fshatrat përreth të banuara me shqiptarë, ju në realitet do t’ia dhuroni Serbisë të dyja: Mitrovicën Veriore, e cila që tani po bëhet qendër administrative, ekonomike, arsimore e kulturore serbe nën sundimin e Serbisë dhe Luginën e Preshevës, e cila do të shpopullohet prej shqiptarëve e do të popullohet prej serbëve”, ka vazhduar Qosja arsyetimin  e tij.

Për më tepër, sipas tij çështja shqiptaro-serbe mbetet e pazgjidhur, ai gjithashtu përmend edhe mendjet që mendojnë vetëm sot pëe sot e që shohin, siç u shpreh ai deri te kthesa e parë, transmeton gazetametro.net.

“E këtillë, mjerisht, është e ardhmja e çështjes ende të pazgjidhur plotësisht shqiptaro-serbe, që na e dhurojnë mendjet që mendojnë vetëm sot për sot dhe që shohin vetëm deri te kthesa e parë: vetëm deri te muri i rrënuar buzë Ibrit dhe vetëm deri te treni i dekoruar i kthyer pas Beograd-Mitrovicë! Dhe të gatshëm – që të na pagëzoni kombi kosovar!”, ka thënë akademiku Qosja.

“Nuk dua të mendoj që kjo politikë është e frymëzuar më parë prej propagandës së atyre që gëzojnë frytet e tregtisë së zezë të mafisë serbe dhe të mafisë shqiptare në Mitrovicën Veriore sesa të mendjepakësisë e të padijes”, ka përfunduar ai reagimin e tij. /gazetametro.net.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë